Serbia mund të shfrytëzojë situatën politike në Kosovë për sulm në veri? Ja çka thotë ish- ushtaraku
Të martën do të mbahet seanca konstituive e kuvendit dhe presidentja e Kosovës, duhet të mandatojë LVV-në, si fituese të zgjedhjeve, për të formuar Qeverinë, për të cilën nevojiten 61 vota.
LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka pranuar se nuk mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës pa bashkëpunim me një nga partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
Partia e Kurtit nuk i ka të sigurta as 10 votat nga komunitetet joserbe, që tradicionalisht e kanë mbështetur koalicionin qeverisës, ndonëse shumica nga këto parti kanë thënë se do ta votonin një ekzekutiv të udhëhequr nga ai.
Ndërkaq, nga 10 vendet e tjera të rezervuara për komunitetin serb, nëntë janë fituar nga Lista Serbe dhe një nga partia e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Deri më tani ende nuk dihet se me kë do t’i sigurojë votat për formimin e qeverisë së re, por ish- ushtaraku Hafir Hoxha, konsideron se që nga tani qeveria nuk do të jetë e qëndrueshme.
Sipas tij, problemet e qeverisë priten të paraqiten edhe në momentin kur duhet të zgjidhet presidenti-tja e Kosovës.
“Në takimin e 15 prillit, edhe nëse arrihet të formohet Qeveria, ajo me gjasë nuk do të jetë e qëndrueshme dhe e fuqishme siç ishte Qeveria në mandatin që po përfundon. Problemet pritet të paraqiten edhe në momentin kur duhet të zgjidhet Presidenti/Presidentja e Kosovës, ndaj ekziston mundësia që zgjedhjet të përsëriten gjatë vitit 2025”, shprehet Hoxha.
I pyetur nëse Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë që të krijojë ndonjë sulm në veri të vendit, Hoxha thotë se ajo është e ndarë në dy grupe.