TË FUNDIT

Seanca konstituive, paralajmëron Baraliu: Ka shumë të papritura që mund të ndodhin

Më 15 prill mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar këtë datë, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar se do të formojë e vetme qeverinë, por nënkryetari Glauk Konjufca ka pranuar më 8 prill se kjo është e pamundur pa koalicione qeverisëse.

Ai ka thënë se qëllimi i LVV-së ishte të formonte qeverinë vetëm, por rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e determinon nevojën për koalicion, ndërkohë që partitë e tjera kanë refuzuar mundësinë e koalicionit me partinë fituese duke kërkuar që një gjë të tillë ta bëjnë vetë ato.

Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë për KP, se në seancën konstituive të Kuvendit mund të ndodhin shumë gjëra të papritura dhe të paparashikuara, pasi vota e qytetarit ka vendosur partitë politike në një “pozicion pa pozicion”. Ai thotë se nevojitet një qeveri e unitetit.

Baraliu: Ka shumë të papritura që mund të ndodhin në seancën konstituive të Kuvendit

“Ka shumë të papritura dhe të paparashikuara që mund të ndodhin, për arsyen e parë, sepse rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka orientuar pozitën dhe opozitën në një pozicion pa pozicion, nëse shprehemi në fjalorin e shahut, ku në mënyrë milimetrike ka matur dhe ka rezultuar meritën që ato kanë pasur, gjegjësisht mos me meritën që kanë pasur qoftë pozita apo opozita… Në situatën aktuale ka shumë të papritura në këtë seancë dhe ka shumë mundësi, të cilat nuk i parashikon askush. Ajo që duhet të ndodhë, nëse më pyetni, është në interes të qytetarit të Kosovës – sot është që subjektet politike pozitë-opozitë, bashkë ato që kanë fituar, pozita në parlament është dashur dhe ka kohë ende që të bashkohen dhe të bëjnë një qeverisje me bazë të gjer një qeverisje të unitetit”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me refuzimin e partive opozitare për koalicion me partinë e Albin Kurtit, profesor Baraliu thotë se ka shumë hatër mbetje për një fjalë goje duke iu referuar ‘hajvanatit’ të Kurtit, drejtuar partive të tjera pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Baraliu: Ka shumë hatër mbetje e inate mes LVV-së dhe partive të tjera

“Sepse ka shumë antagonizma, ka shumë hatër mbetje ka shumë inate, ka shumë synime dhe qëllime politike për pushtet dhe jo vetëm, për një fjalë goje madje. Prandaj, ne fatkeqësisht po dëshmojmë edhe kësaj radhe, dhe kjo është poenta mbase, do të duhej të ishte poenta pika referuese shtyllë-mbajtëse e kësaj bisede dhe veprimit që do të duhej të bënin subjektet politike. Ne ende nuk jemi të vetëdijshëm sa duhet ose nuk jemi pjekur sa duhet, nuk jemi emancipuar sa duhet demokratisht dhe politikisht, për të kuptuar momentin e tanishëm, rëndësinë e momentit, konstalacionet gjeopolitike që po ndodhin dhe rreziqet që mund t’i kemi”, potencoi Baraliu.

Për sa i përket çështjes nëse nuk arrin partia fituese e zgjedhjeve që të sigurojë shumicën, Baraliu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë – parti që arrin 61 vota e formon qeverinë dhe nuk ka rëndësi nëse kjo është partia e dytë apo e tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *