Gjermania vendos kamera për shoferët që përdorin telefon gjatë vozitjes
Policia e Gjermanisë po prezanton kamerat që zbulojnë shoferët që përdorin telefonin gjatë vozitjes.
Ministri i Punëve të Brendshme të provincës federale Rhineland-Palatinate, Michael Elbing, tha se shpërqendrimi nga timoni për shkak të përdorimit të telefonave, është ndër rreziqet më të injoruara në trafik, andaj kjo është arsyeja e instalimit të kamerave në rrugë.
Elbing shpjegoi se një sekondë e pavëmendjes kur shikon telefonin me shpejtësi 100 kilometra në orë do të thotë se shoferi ka udhëtuar 30 metra “verbërisht”.
Vitin e kaluar vetëm në Rhineland-Palatinate janë regjistruar më shumë se 1000 aksidente trafiku dhe tri viktima, si pasojë e përdorimit të telefonave.
Shoferët e kapur në kamera me telefon në dorë do të gjobiten me 100 euro dhe do t’u jepet një pikë dënimi në regjistrin qendror të shoferëve.
Në Holandën fqinje gjoba është dukshëm më e lartë dhe arrin në 430 euro.
Siç raporton policia e Mainz, në orën e parë pas aktivizimit të kamerës, katër drejtues mjetesh janë regjistruar duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.