TË FUNDIT

Lidhja Trump–Erdogan mund të ndikojë pozitivisht në të ardhmen e Kosovës”

I ftuar në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, analisti Enver Bytyçi tha se SHBA-të nuk kanë asnjë interes për të destabilizuar Kosovën ose për të ndryshuar kufijtë.

Sipas tij, një aspekt pozitiv për Kosovën është marrëdhënia shumë e mirë e Donald Trump me Erdoganin, dhe duke qenë se Turqia i jep Kosovës mbështetje maksimale, e ardhmja pritet të jetë shumë e mirë.

“Sipas mendimit tim, SHBA-të nuk kanë asnjë interes që Kosova të destabilizohet, ose që të ndryshojë kufijtë, të japë territore ose të krijojë një asociacion i cili e defunksionalizon shtetin. Kam qenë i bindur në këtë rast, sepse zoti Trump mendon së pari për interesat amerikane, dhe nëse ai mendon qartësisht për Amerikën, unë besoj se nuk do të japë zgjidhje të gabuar ose të dëmshme për Kosovën. Mos të harrojmë që vizita e parë që Trump do të bëjë është ajo në Ankara, ndërsa dihet që Turqia është aleati më i qëndrueshëm, pa ekuivok i Kosovës. Të gjitha përpjekjet e Turqisë për të pasur një Kosovë të pavarur dhe me integritet të qartë territorial janë maksimale. Një marrëdhënie e ngushtë e Trump me Turqinë, gjë që nuk ka qenë në kohën e Bidenit, çon në përfundimin se do të kemi të bëjmë me një kujdes të veçantë të Amerikës dhe Shtëpisë së Bardhë për të ndërtuar një Kosovë solide dhe të pavarur,” tha Bytyçi.

Bytyçi tha se njerëzit kyç në administratën e re të Trump janë njohës shumë të mirë të Kosovës dhe ata do të kontribuojnë për mirë në këtë aspekt, ndërsa theksoi se ndoshta do të jetë vetë presidenti Trump që do t’i japë zgjidhje problemit të Kosovës.

“Mendoj se njerëzit e rinj të administratës Trump janë njerëz që i njohin shumë mirë zhvillimet në rajon, raportet mes kombeve dhe shteteve, dhe kanë dëshmuar një angazhim të qartë pro Kosovës dhe pro pavarësisë së saj. Dhe së fundi, unë besoj se problemi i Kosovës do të zgjidhet me ndërhyrjen e administratës Trump dhe ndoshta drejtpërdrejt nga presidenti i SHBA-së, në kuadër të zgjidhjeve të mëdha që do të ndodhin në botën e sotme,” tha Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *