Bogojeski, politikani me padi penale për gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve është zgjedhur drejtor
Petar Bogojeski, politikani me padi penale për gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, me publikime dhe analiza fyese për historinë e shqiptarëve dhe aftësitë intelektuale të tyre, është zgjedhur drejtor i ri i Agjencisë nacionale për politika evropiane të arsimit dhe të lëvizshmërisë. Lajmin e bëri të ditur ai personalisht në rrjetet sociale. Sipas tij, vendimi është i Bordit drejtues të agjencisë, përmes thirrjes publike.
“Me nder të veçantë dhe përgjegjësi, ju njoftoj se kam pranuar Vendimin e Bordit Drejtues të ekspertëve të Agjencisë Nacionale për Programet Arsimore Evropiane dhe të Lëvizshmërisë, me të cilin me thirrje publike jam zgjedhur në pozicionin e Drejtorit të këtij institucioni të rëndësishëm kombëtar”, thuhet nw njoftimin e Petar Bogojeski.
Alsat pyeti në qeveri për kompetencat e ekzekutivit në zgjedhjen e drejtorit në këtë agjenci nacionale, si u propozua dhe kush e toleroi zgjedhjen e tij. Deri në këto momente nuk morëm përgjigje.
Për qëndrimet e Bogojeskit ka informuar edhe Alsat në të kaluarën. Disa nga postimet e tij në rrjetet sociale janë të mbushura me gjuhë të urrejtjes, që është vepër e dënueshme sipas Kodit penal.
Shqiptari mundet vetëm… për asgjë tjetër nuk është i aftë.
Kultura Maqedonase është aq superiore, sa edhe shqiptarët duan të jenë maqedonas.
Sigurisht, kafshët e Enver Hoxhës nuk kuptojnë ndryshe.
Shqiptarët direkt e shkatërrojnë NATO-n.
Shqiptarizim i dhunshëm i Maqedonisë qendrore në bashkëpunim me shërbyes maqedonas.
Shovinizmi etnik shqiptar është ndërtuar mbi një mit të rrejshëm për ndonjë prejardhje autoktone ilire të Shqiptarëve dhe ndonjë fitore të vitit 2001.
Shovinizmi etnik shqiptar i kaloi të gjitha kufijtë, e rrezikon direkt të ardhmen Evropiane dhe stabilitetin e NATO-s.
Ai vitin e kaluar u padit nga VLEN, partneri i koalicionit në qeveri, për gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Kreu i partisë Koncepti Maqedonas, partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së në koalicionin “Maqedonia jote”, duke ju referuar shqiptarëve “shiptari” kishte pyetur se përse shqiptarët votojnë fshatarë të pajetuar. Bogojeski ishte përgjigjur me kundërpadi për përdorimin, sipas tij, “të paligjshëm” të gjuhës dhe flamurit në shtet.
Agjencisë nacionale për politika evropiane të arsimit dhe të lëvizshmërisë lidhet drejtpërdrejt me programet Erasmus, për shkëmbim të studentëve me vendet evropiane./ Alsat.mk