Salihu: Nuk ka faj as Fero, as Fara dhe as Ferri
Shkruan Iljasa Salihu
Nuk ka faj as Fero, as Fara dhe as Ferri, por kanë faj ata që ngarendin si të shastisur pas njerëzve të famshëm, pavarësisht se vetë ata e dinë se në çfarë rruge të ndytë e kanë arritur famën. Këta të shastisur janë disa hoxhallarë, të cilët mundohen të ngriten dhe të lundrojnë përmes lumit jo, por përmes llumit, të cilët janë shumë të pranishëm nëpër media, që sa herë t’i humbase shkëlqimi, papandehur e krijojnë ndonjë skandal dhe kështu emri dhe figura e tyre arrinë të qëndrojë në konakun e mediave. Lloji i tyre maratonistët në qëndrime parimore as që i njohin, por turr e vrap bëjnë pas “VIP-ave”, të cilët dukurinë e pendimit e kanë trajtësuar në një plastelinë, ku herë pendohen për “vipllëkun” e tyre e herë pendohen për pendimin e mëparshëm, por sërish janë të mikluarit e atij lloji të hoxhallarëve, që për “Showbiz” ia kalojnë edhe estradës. Lloji i tyre ka harruar se fjala e parë në Kuran është lexo dhe jo bëni hip-hop apo rep, ndaj do të duhej ta kuptonin se lexuesit e përkushtuar dhe shkrimtarët e pakompromis duhet të kenë përparësi në njohje dhe në nderime. Zoti i udhëzoftë “showbiz-at” tanë hoxhallarë!