Krasniqi: LDK-ja e re është kopje e keqe e VV-së, rrezikon të përfundojë në humnerë
Besnik Krasniqi, redaktor në Grupin KOHA, e ka quajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës kopje të keqe të Vetëvendosjes pas qëndrimit të saj refuzues për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mundësinë e krijimit të qeverisë. E LDK-ja ka thënë se nuk hyn në koalicion as me partitë opozitare.
Krasniqi është shprehur se LDK-ja është njohur si parti jobllokuese në të kaluarën, dhe se tash po del jashtë asaj çfarë ka qenë.
“LDK e njohim si parti institucionaliste, jobllokuese. Nëse e marrim si mesazh të një lideri të LDK-së, i bie që nuk ka kurrfarë themeli si mesazh. Por cka po shohim është që kjo LDK-ja e re është kopje e keqe e VV-së de ky ëstë gabimi më strategjik që sot lidershipi i LDK-së po e bën. Sepse po shkojnë pas strategjisë, diskursit të VV-së, edhe në veprime si bllokuese kur thotë nuk bëhet as me ju por as me opozitën nuk bëhet qeveria. Ky është pozicion bllokues dhe kjo nuk ka qenë në natyrën e LDK-së së përparshme”, ka thënë ai në “Konfront”.
Krasniqi ka theksuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po e çon partinë e tij drejt shkatërrimit. Sipas tij, LDK-ja e ka humbur elektoratin me gënjeshtrat dhe përçarjet e brendshme.
“Abdixhiku me veprimet e tij është duke ia bë varrin LDK-së. LDK-ja shkon drejt humnerës nëse kemi përpara secilën prej dy opsioneve, një nëse kemi qeveri të opozitës e cila do jetë jetëgjatë vetëm deri në dimër meqë atëherë vjen në pyetje zgjedhja e presidentit, dhe e dyta nëse LDK-ja mbetet në opozitë. E para, njerëzit kanë besuar se rënia e LDK-së para 4 vjetësh ka qenë aksidentale, që do të korrektohet në zgjedhjet e ardhshme. Shkuan 4 vjet, pamë ndërrimin e lidershipit të LDK-së dhe ngritje shumë të lehtë. E dyta, spektakli në fushatë. Njerëzit kanë besuar se LDK-ja është masivizuar dhe kur e kanë pa atë imazh në takimet e LDK-së, me elektorat, është krijuar njëfarë entuziazmi që LDK është rritë dhe hajde të votojmë. Çka ndodhi ishte se ai imazh ishte fals. E treta, njerëzit e LDK-së përmes skandalit që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve, vjedhjes së brendshme të votës është krijuar pakënaqësi brenda strukturës dhe kjo përçarje, dallime, kanë efekt te elektorati”.
Alija për refuzimin e ftesës nga LDK: Interesi shtetëror duhet të vihet para atij partiak
Analisti politik, Artan Alija, derisa ka folur për refuzimin e ftesës së kryeministrit Albin Kurti për diskutim lidhur me konstituimin e Kuvendit, nga ana e LDK-së, ka thënë se kjo parti duhet ta vë interesin shtetëror para atij partiak.
Ai ka thënë se deklarimi i LDK-së se do të qëndrojë në opozitë pasi është në interesin e saj partiak, ka qenë problematike dhe befasuese.
Kjo, sipas tij, për shkakun se kjo parti është treguar shumë më shumë institucionaliste.
“Lidhur me reagimin e LDK-së ndaj ftesës së kryeministrit Kurti, besoj që qysh me përfundimin e zgjedhjeve e kemi parë një komunikim jo të denjë nga LDK-ja, në raste të caktuara edhe joprofesionale. Në momentin kur flasim për të ardhmen e vendit, të vihet përpara interesi partiak para atij shtetëror ndoshta nuk është qasja më e mirë për një parti politike, sidomos për LDK-në që ka gjithë atë bagazh, qoftë nga e kaluara, qoftë nga e sotmja. Në një deklaratë të mëhershme kanë thënë që ata do të qëndrojnë në opozitë pasi që është interes i tyre partiak. Për mua kjo ka qenë shumë problematike dhe befasuese ta shoh një reagim të tillë nga një parti si LDK-ja, pasi kam pritur që do të jetë shumë më shumë institucionaliste siç ka pretenduar dhe ta shohin interesin e Kosovës së pari, pastaj interesin partiak”, ka thënë ai.