“Dëgjova britma, pastaj pashë vajzën përtokë”, filipinasja pranon se ndihmoi djalin të zhdukte trupin e shqiptares
Hetimi për vrasjen brutale të Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që studionte në Romë, ka hyrë në një fazë të re. Pas rrëfimit të ish-të dashurit të saj, Antony Mark Samson, 23 vjeç, i cili ka pranuar se e ka vrarë me thikë gjatë një debati në banesën familjare, autoritetet italiane kanë vendosur të hetojnë edhe nënën e tij.
Sipas burimeve të agjencisë “LaPresse”, nëna e Samsonit është përfshirë në listën e të dyshuarve për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Ajo ka ndërhyrë menjëherë pas krimit, pasi ka dëgjuar britmat e vajzës dhe e ka parë trupin e pajetë në dhomën e gjumit.
Në vend që të lajmëronte autoritetet, dyshohet se ajo ka ndihmuar të birin në pastrimin e skenës së krimit në apartamentin në via Homs, në lagjen afrikane të Romës.
Ndërkohë që Samson pretendon se ka vepruar i vetëm, hetuesit nuk janë të bindur nga versioni i tij dhe po hetojnë më shumë rreth rolit të mundshëm të familjarëve. Të dhënat telefonike të nënës dhe babait do të analizohen me kujdes për të zbuluar lëvizjet e tyre në orët pas krimit.
Nëna e Samsonit do të merret në pyetje ditën e nesërme nga Seksioni i Vrasjeve në Shtabin e Policisë së Romës. Qëllimi i hetimit është të sqarojë saktësisht çfarë ndodhi në orët e pas krimit dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në fshehjen e provave.
Trupi i Ilaria Sulës, e zhdukur më 25 mars, u gjet natën mes 1 dhe 2 prillit brenda nje valixheje e hedhur në një shkëmb në një zonë pyjore në Poli. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa hetimet vazhdojnë për të vendosur drejtësi për të ndjerën.
Ndërkohë, Gjykata e Romës konfirmoi lënien në qeli të 23-vjeçarit me origjinë filipinase Mark Samson të akuzuar për vrasjen e shqiptares Ilaria Sula.
Sipas mediave italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar automjetin në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës.
Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë.
Një prej tyre ka treguar se ai ishte klient i tyre prej rreth një viti dhe se dy ditë pas zhdukjes së Ilarias, ai kishte çuar makinën për riparimin e parakolpit dhe kishte kërkuar dhe që mjeti të pastrohet.
“Ishte klienti ynë për rreth një vit, i kishim riparuar makinën disa herë dhe asnjëherë nuk kishte probleme. Përkundrazi, ishte një nga më të duruarit. Një herë ka pritur më shumë se një orë në garazh për ta marrë makinën, pa u ankuar. E kam thirrur më 28 mars për t’i thënë të më sillte makinën të hënën. Ai kishte pasur një aksident më 21 dhjetor dhe duhej të riparonte parakolpin dhe të zëvendësonte diçka që ishte thyer. Nuk ishte faji i tij. Ata e kishin përplasur, siç tregon edhe kamera e makinës”, ka treguar sekretarja që merret me të gjitha procedurat në servis.