Tabela në Plavë që e shënonte Pejën si pjesë të Serbisë, pas reagimeve është larguar
Një tabelë rrugore e vendosur në qytetin e Plavës ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, pasi ajo i referohej qytetit të Pejës si pjesë e Serbisë.
Fotografia e tabelës, e cila tregon drejtimin për në Pejë të shoqëruar me emërtimin “Serbia”, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta nga qytetarë dhe përfaqësues politikë.
Deputeti në parlamentin e Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, reagoi përmes një letre të hapur drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Ju drejtohem si një qytetar i shqetësuar, i lindur në Mal të Zi, i vetëdijshëm për rëndësinë e çdo mesazhi dhe simboli në një shtet multietnik, sovran dhe demokratik. Në një nga pjesët e rrugës kryesore në Mal të Zi, është vendosur tabela rrugore që tregon drejtimin për në qytetin e Pejës, por në vend që të shënojë shtetin e njohur ndërkombëtarisht të Kosovës, tabela shkruan ‘Serbia’”.
‘Një shtrembërim i tillë i fakteve gjeografike dhe politike nga një shtet që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian jo vetëm që mashtron qytetarët dhe vizitorët, por është edhe një fyerje e rëndë për të gjithë ata njerëz në Mal të Zi që e shohin diversitetin si vlerë,” thekson Balidemaj në letrën e tij.
Ai veçoi se ky veprim përbën një mohim të identitetit dhe shtetësisë së qytetarëve të Kosovës, si dhe një fyerje për popullsinë malazeze që ka vuajtur nga ideologjitë që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik.
Pas reagimeve të shumta, tabela është hequr. Sipas Edon Balidemajt nga Forumi Shqiptar, tabela ishte vendosur pa autorizim nga organet përgjegjëse.