Nga LDK tregojnë nëse kanë pasur ftesë nga VV për takim/ A ka ndryshuar qëndrimi i tyre për koalicion?
Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.
Thirrja e kësaj seance për datën 15 prill 2025 është në përputhje me këto afate dhe synon të sigurojë një fillim të mbarë për legjislaturën e re.
Gjersa pritet seanca konstituive, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është shprehur optimist për formimin e Qeverisë së re.
Ai para mediave të martën ka deklaruar se beson që i kanë numrat për formimin e qeverisë.
“Krejt çka presim është të themelohet sa më shpejtë qeveria, fillimisht duhet të konstituohet kuvendi, besoj i kemi numrat”, u shpreh ai.
Ende nuk dihet si qëndrojnë numrat për formimin e qeverisë së re, por në analistët vazhdojnë të kërkojnë një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Analisti politik Zejnullah Jakupi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ditë më parë kishte theksuar rëndësinë e krijimit të një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), GUXO, Alternativës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për sigurimin e një qeverie stabile që mund të sigurojë vendimmarrje për çështje të rëndësishme për vendin.
Jakupi e sheh këtë koalicion si të mundshëm dhe thelbësor për të siguruar një mandat të dytë për presidenten Vjosa Osmani, e cila, sipas tij, ka paraqitur vendin më mirë se çdo kandidat tjetër, përveç ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova.
“Koalicioni i LVV-së GUXO dhe Alternativa duke përfshi LDK do e mundësojë një qeveri stabile që siguron stabilitet dhe mundëson vendimmarrje për çështje të rëndësishme në vend, për shumë arsye; E para mundëson që t´i sigurojë votat edhe për një mandat për presidenten Vjosa Osmani. Kjo ka rëndësi sepse z. Vjosa Osmani e ka prezenatuar vendin më mirë se çdo kandidat deri tani përjashto ish-presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova. Roli i saj ka qenë një fuqizim i shtetësisë, prezantimit dinjitoz të Kosovës në takimet ndërkombëtare ku presidentja ka shkëlqyer dhe ka shërbyer si shembull edhe për shumë shtete të botës se si duhet të jetë një presidente e kompletuar. Për momentin as LVV por as LDK nuk e ka një figurë të tillë që do të mund ta zëvendësonte Vjosa Osmanin. Zgjatja e mandatit është i domosdoshëm edhe për shkak të zhvillimeve globale dhe natyrisht edhe për shkak të shumë çështjeve që presin të zgjidhen në gjitha aspektet”, ka thënë Jakupi për “Bota sot”.
Për Jakupin, hyrja e LDK-së në këtë koalicion do të forconte partinë dhe nuk do të dëmtonte trashëgiminë e Rugovizmit. Ai shton se Albin Kurti nuk ka urryer LDK-në si tërësi, por ka kritikuar anën e errët të kësaj partie, duke e luftuar korrupsionin dhe privatizimin e aseteve publike.
“Natyrisht hyrja e LDK-së në Koalicion me LVV- nuk e dobëson as nuk ja zhbën rrugën e Rugovizmit por e forcon LDK-në, sepse Albin Kurti kurrë nuk e ka urryer LDK-në se kjo parti e përfaqëson dhe e forcon frymën Rugoviane, por e ka kritikuar dhe luftuar anën e keqe, të asaj LDK- apo atyre fytyrave që i privatizonin asetet publike apo i privatizionin doganat e shtetit për përfitime personale. Ata njerëz që krijojnë tani përçarje në LDK, vetëm e vetëm që LDK të mos hyjë në koalicion me LVV- nuk ja duan të mirën Kosovës. Por me sa shihet Lumir Abdixhiku duhet të forcojë radhët, është kryetar dhe duhet të vendos të ecë përpara edhe të marrë mbi supet përgjegjësinë që i takon. Natyrisht nëse arrihet ky koalicion dukshëm do të dobësohet pjesa tjetër e opozitës, PDK, AAK dhe Lista Serbe”, ka përfunduar analisti.
Kujtojmë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe rezultateve të tyre, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte përjashtuar një koalicion me LVV.
“LDK-ja e ka të qartë pozicionin e vet politik karshi VV, nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta. Pra, ky është pozicion i qartë i LDK para elektoral dhe mbetet edhe sot”, ka thënë ai.
Abdixhiku kishte shtuar se po ashtu janë kundër një qeverie me partitë opozitare, që do të ishte afatshkurtër dhe më pas të shkohet në zgjedhje pas 6-7 muajsh.
“Unë dhe askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së, nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjërën nga partitë politike në nivel të komunikimit zyrtar. Kemi pasur komunikim të urimeve paszgjedhore që janë normale, por jo për qeverisje, për tri arsye: E para, sepse të parit i takon afati kushtetues, të tjerët s’kanë se çfarë kërkojnë në këtë afat, s’mund të mblidhen të tjerët për të konsumuar një afat që nuk i takon, e dyta, ne nuk besojmë në një qeveri që ka afat të shkurtër, s’mund të jemi pjesë e një qeverie për 6-7 muajt e ardhshëm dhe më pas të shkojmë në zgjedhje, për interesa të pozicioneve. Interesi i vetëm është Lidhja Demokratike e Kosovës”, potencoi Lumir Abdixhiku.
Por, a ka pasur ftesë LDK nga VV për takim dhe bashkëpunim, si dhe a do të ishte i përshtatshëm një koalicion me ta që të shihet partia e tyre në qeverisje pa PDK-në?
I pyetur për këtë nga gazeta “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se qëndrimi zyrtar i tyre nuk ka ndryshuar.
Ai shtoi se nuk ka njohuri për ndonjë ftesë të LVV për takim.
“Asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi zyrtar i LDK-së dhe që është publik për opinionin. Nuk kam njohuri që në ndërkohë kemi pasur ndonjë ftesë nga autoritetet e VV-së”, ka thënë shkurt Quni.
ImageAnton QuniFoto galeri
KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.