OPINIONTË FUNDIT

Mos e shtoni “mishin e dhisë” në dialog – mesazhi i qartë për BE-në dhe Mandl-in!

Lukas MandlSerbia nuk po kërkon dialog, por territore – paralajmëron Maxharraj
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka folur rreth çështjes së dialogut të Kosovës me Serbinë.

Ai ka thënë se dialogu duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe se kjo e fundit duhet të ketë një agjendë të qartë se si të zgjidhen problemet.

“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare. Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, ka deklaruar ai në një intervistë për mediat vendore.

Lidhur me këtë deklaratë ka folur profesori Binak Maxharraj. Ai ka thënë se Kosova nuk do të duhej që të mbetej edhe më tutje e lidhur me tekat e Serbisë.

“Por në këtë konstelacion të ngjarjeve rreth zgjedhjeve, këto ditë foli edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl, i cili në veçanti theksoi se puna e parë që pret qeverinë e re është dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili po zgjat që nga viti 2016, pa ndonjë sukses.Realisht, pas pavarësisë së Kosovës, pas shpalljes së saj nga Serbia, nuk do duhej që Kosova të mbetej edhe më tutje e lidhur me tekat e Serbisë, e cila ishte pala më e fortë në dialog në krahasim me atë të Kosovës, kur insistoi që midis këtyre dy shteteve të vihej njëfarë dialogu. Kjo ndodhi sepse pala kosovare në vitin 2016 nuk ishte insistuese që pas pavarësimit të Kosovës nga Serbia të mos kishte ndonjë dialog shtesë. Por Kosova e hëngri këtë karrem të Serbisë, sepse në dialog kishte njerëz të dobët, jo insistues në mbrojtjen e interesave të Kosovës, siç ishte ndonjë kompromis, dhe që edhe dialogu ishte një kompromis ndaj Serbisë”, ka thënë ai.

ImageBinak MaxharrajFoto galeri
Tutje, profesori Maxharraj ka kritikuar heshtjen ndër vite të Evropës ndaj veprimeve të Serbisë.

“Por dialogu vazhdoi që nga viti 2016, pra që 11 vite më parë, pa ndonjë sukses të veçantë, por vetëm humbje kohe, sepse dialogu ishte si një “shishe e helmuar” që u fut midis palëve në dialog. Për këto 11 vite në dialog nuk u fol asgjë për çështjen fillestare, e cila kishte për qëllim të ishte teknik dhe të trajtonte “pozitën e serbëve në Kosovë pas pavarësisë së saj”, por asgjë lidhur me këtë nuk u bisedua. Përkundrazi, Serbisë iu la dora e lirë që të shtrinte dialogun përtej kësaj çështjeje, duke e shndërruar atë në një debat politik.

Me kalimin e kohës, Serbia, ndërsa Evropa heshti, e futi në dialog edhe lakminë e saj për territore të Kosovës. Siç ka deklaruar shpesh Vuçiqi, “ne nuk dalim nga Kosova pa marrë diçka”, dhe kjo “diçka” ka qenë përpjekja për të shkëputur ndonjë pjesë të Kosovës, veçanërisht veriun e pasur me argjend dhe ar”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, profesori ka zbuluar edhe qëllimin e Serbisë, duke e cekur se “është të luftojë për veriun e Kosovës”.

“Lidhur me këtë synim të Serbisë – për ta përdorur dialogun si mjet për të marrë territore nga Kosova – nuk reagoi as Bashkimi Evropian, edhe pse ishte ndërmjetësues në bisedime. Kjo ndodhi sepse BE-ja emëroi vazhdimisht ndërmjetësues pro serbo-rusë, nga Mogherini e deri te Borrelli, të cilët luajtën një rol të padrejtë në dialog, duke i dalë në krah Serbisë.

Pra, ky ishte dhe është arsyeja pse Serbia po qëndron në dialog, dhe jo për pozitën e serbëve në Kosovë, e cila është shumë më e avancuar se pozita e shumë pakicave në Evropë. Qëllimi i saj është të luftojë për veriun e Kosovës, çka Kosova nuk duhet dhe nuk guxon ta hapë si çështje në dialog.

Në momentin që hapet çështja e territoreve të Kosovës në dialog, Kosova duhet të dalë menjëherë prej tij, sepse vazhdimi i dialogut në këto rrethana është në favor të Serbisë dhe jo të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Në fund, profesori ka një mesazh për eurodeputetin Mandl sa i përket negociatave me Serbinë.

“Pra, eurodeputeti Lukas Mandl thekson se në një dialog, në një proces të tillë negociatash, duhet që secila palë të vendosë diçka në tryezën e bisedimeve, por edhe që ndërmjetësuesit e BE-së të tregojnë se çfarë ofrojnë për këtë tryezë. Do t’i thosha me këtë rast z. Lukas: mos e shtoni “mish dhie” në dialog.

Në dialog mund të bisedohet eventualisht për pozitën e serbëve në Kosovë, siç pretendonte Serbia fillimisht, por ajo shumë shpejt e përmbysi këtë proces, duke e shndërruar dialogun në një bisedim për territoret, me aludim në veriun e Kosovës, të pasur me burime nëntokësore. Ndërkohë, në asnjë seancë të dialogut, Serbia nuk foli për pozitën e serbëve, por vetëm për pengimin e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt organizmave ndërkombëtarë.

Prandaj, Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos lejojë me asnjë çmim që në dialog të hapet, e aq më pak të bisedohet, për territoret e saj. Ajo duhet t’ia bëjë të qartë BE-së dhe SHBA-ve se projekti i pavarësisë së Kosovës ka përfunduar në vitin 2008, me shpalljen e saj”, ka përfunduar Maxharraj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *