OPINIONTË FUNDIT

Vijon projekti i shpopullimit të Shqipërisë: – Model memorandumi i Çubrilloviçit për Kosovën!

Enver Bytyqi

“Ik mor babë nga Shqipëria, se të morën tokën”! Ishte kjo thirrja që një protestues para SPAK nuk do të donte t’ia thoshte djalit të tij, por që e pranoi si të vetmen alternativë që i jep qeverisja e Rilindjes. Kush po ua merr tokën shqiptarëve? E kush tjetër, përveçse Edi Ramës?! Eshtë ai që na e ktheu në vëmendje dramën e Kolë Jakovës “Toka jonë”! Njësoj si në vitet 1945-1950 e më vonë. Eshtë Edi Rama ai që, sipas gazetarit investigues, Armand Mero, ka përvetësuar 224 mijë metër katror tokë të Kishës Ortodokse në Vuno për llogari të nënës së tij, Anetës dhe vëlla Olsit. Dmth edhe të Edit, Zahos e Lindës! Eshtë Edi Rama që shpiku “investitorin strategjik” për të grabitur tokat e shqiptarëve. Dhe të gjithë investitorët strategjikë janë po të Edi Ramës. Një emigrante në Greqi ia adresoi çeshtjen e pronave kryeministrit të Shqipërisë,. Dhe ky I fundit u tall me të. “Më ler të të jap përgjigje”! Përgjigja ishte në fakt pa asnjë përgjigje!

Shqipëria është, sipas një raporti të së shtunës, në vendin e fundit në rajon dhe Europë sa I përket indeksit të pagave dhe pensioneve. Ndërkohë ka çmimet më të larta të ushqimeve dhe produkteve të tjera që konsumojnë qytetarët. Edhe kjo është diçka që duket e prek çdo të punësuar e pensionist të këtij vendi. Ndërkohë reminitancat nga emigracioni kanë pak shifrën prej gati 1.4 miliard dollarë amerikanë, ose mbi 10 përqind më shumë se një vit më pare. Ndërsa popullsia ulet, çmimet ngrihen, pagat e pensionet qëndrojnë në vend, dërgesat nga emigracioni rritet, të gjitha këto në mënyrë kontraverse me secilën prej këtyre fenomeneve. Dhe si zgjidhje sërishmi kryeministri I Shqipërisë premton shpërnguljen. “Me pranimin në BE ju do të keni pasaportën evropiane dhe do të punoni ku të doni në Europë”! Ky ishte premtimi I Edi Ramës në Athinë dhe disa manifestime të tjera me shqiptarët që jetojnë në Greqi. Dmth ofron punë në Evropë, por jo në Shqipëri. Madje e nxit emigracionin si opsionin më fatlum.

Ndërsa shqiptarët duan të jetojnë në vendlindjen e tyre, kryeministri i tyre në detyrë ofron shpërnguljen, njësoj si Vasa Çubrilloviç. Akademiku serb, Vasa Çubrilloviq, më 7 mars të vitit 1937 publikoi memorandumin e tij të shpërnguljes së shqiptarëve. Në udhëzimet e tij për shpërnguljen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi ai rekomandoi pikërisht të gjitha këto metoda që përdor Edi Rama me shqiptarët e Shqipërisë. Çubrolloviq shkruan se autoritetet serbe të Beogradit duhet që shqiptarëve t’ua marrin pronat, tokat dhe t’ua japin ato serbëve kolonë në Kosovë. Sepse, shkruan ai, shqiptari pa pronën e merr vendimin shumë lehtë për t’u larguar nga vendlindja. Natyrshëm që njeriun me vendin e tij e lidh prona dhe kujtimet e tij. Dmth njerëzit me të cilët ai është rritur e formuar. Po i hoqe njërën prej këtyre elementëve, atëherë njerëzve ua rrënon idenë e atdheut dhe të jetesës në vendlindje.

Identik e njëjta metodë përdoret nga Edi Rama. Në emër të “zhvillimit” ai ka hartuar ligje e akte normative për t’i grabit tokat e pronat e shqiptarëve. Shqiptari pa pronë, nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm se të largohet nga Shqipëria. Prona është themeli i jetës së njeriut. Është kolona kryesore e ekzistencës së tij. Po i hoqe pronën, tokën, e ke cenuar në ekzistencë. Po e cenove në ekzistencë, e ke traumatizuar dhe e ke dëbuar nga atdheu. Formula e grabitjes së pronës me “ligj e akte normative”, është formula kryesore e akademikut serb për shpërnguljen e shqiptarëve në Kosovë e vise tjera të ish-Jugosllavisë, të cilën e përvetësoi dhe po e zbaton njësoj si serbët edhe Edi Rama në Shqipëri. Po t’i shtojmë kësaj strategjie edhe përpjekjen e kryeministrit të Shqipërisë për përçarje dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare, sociale e politike, atëherë kuptohet lehtë se cilat janë pasojat e këtyre qëndrimeve.

Kryeministri i Shqipërisë nuk pati nevojë të hartonte ndonjë memorandum se si duhej të vepronte për të shpërngul shqiptarët nga vendi që ai e drejton. E kishte të gatshëm nga vëllai i tij binjak, Aleksandër Vuçiq! Kjo është e gjitha!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *