OPINIONTË FUNDIT

A i bëri LVV në ‘heshtje’ numrat për qeverinë e re, zbërthehet deklarata e fundit e Kurtit

Vetëm ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), certifikoi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, proces ky që u cilësua si i stërzgjatur.

Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë është konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe pastaj i formimit të Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

Mirëpo, ende nuk dihet saktë se si do duket qeveria e re, apo kush do e formojë atë.

E mbi këtë çështje hodhi ‘pak dritë’ kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, po synojnë betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë, si dhe votimin e Qeverisë.

“Pasi u publikuan rezultatet, është një seancë ku japim betimin. Synojmë një seancë me u zgjedh edhe kryetari, kryesia, edhe qeveria siç e kemi bërë edhe herën e kaluar në të njëjtën ditë”, tha ai.

Me këtë në mënyrë të tërthortë Kurti la të nënkuptohej se partia e tij i ka votat, pa përmendur ndonjë koalicion.

Megjithatë, a është ky sinjal që LVV ka punuar në heshtje në prapaskenë, pa bërë zhurmë dhe ka siguruar numrat e nevojshëm për qeveri të re?

Zogaj: Kurti i bën numrat dhe e formon Qeverinë pa shkaktuar zhurmë!

ImageSkender ZogajFoto galeri
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj.

Fillimisht, ai u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e ka detyrim ta formojë qeverinë e re.

“LVV-ja është partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka detyrimin që të formojë Qeverinë e re. Mbetet vetëm të caktohet data e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, në të cilën do të bëhet betimi i deputetëve dhe pastaj, zgjedhja e kryetarit, e kryesisë dhe pastaj sipas procedurave të rregullta kushtetuese të bëhet votimi i kabinetit të ri të Qeverisë!”.

Po ashtu, Zogaj potencoi se, Kurtit i takon fjala kryesore dhe bazuar në deklaratat e fundit, ai veçse i ka numrat.

Për këtë, publicisti beson se LVV i ka numrat, derisa tregoi se si mund t’i ketë bërë ata.

“Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, si i nominuari i partisë fituese, i takon fjala dhe radha kryesore për ta paraqitur përbërjen e kabinetit të tij, që sipas deklaratave më të reja, del se tashmë e ka të skicuar për t’ia paraqitur Kuvendit.

Padyshim që krejt këtë Albin Kurti e ka të mbështetur te numrat e nevojshëm, të cilët i duhen dhe që ky do t’i ketë siguruar, përndryshe nuk do deklarohej!

Disa nga partitë e tjera të vogla janë shprehur pozitivisht, e ndër ta edhe Fatmir Lima vet i treti. Partitë minoritare unë mendoj se, nuk kanë pse hezitojnë dhe nuk është mirë të hezitojnë, sepse atyre nuk u konvenon që të ndahen nga shumica!”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, Zogaj nuk e hodhi poshtë mundësinë që edhe nga partitë e mëdha opozitare të ketë ‘aderime’ në LVV.

“Nuk kam ndonjë informatë të saktë, por unë shoh që, edhe nga partitë e tjera të mëdha opozitare, mund të ketë “dalje” dhe bashkëngjitje me LVV, sepse, unë njoh emra të përvetshëm nga LDK dhe PDK që janë aty, shumë përkohësisht dhe se, shpirtërisht janë të LVV-së.

Dhe nëse hipoteka ime del i saktë, Kurti i bën numrat dhe e formon Qeverinë pa shkaktuar zhurmë! Dhe, ky lloj zhvillimi elektoralisht do të ishte në rregull. Nëse jo, atëherë, e kanë fjalën partitë opozitare të cilat përafërsisht do të ndodhen në të njejtën pozitë për të siguruar numrat!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Ekziston mundësia shumë që të ketë ndonjë marrëveshje të fshehtë me Nismën

ImageFaton MehmetiFoto galeri
Kurse, analisti politike, Faton Mehmeti beson se LVV ka marrëveshje të fshehtë me Nismën.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” ta se mbetet të shihet gjatë seancës së Kuvendit, nëse vërtet Kurti i ka numrat apo po luan me opozitën.

“Zyrtarisht VV nuk i ka numrat për qeverinë, mirëpo ekziston mundësia shumë që të ketë ndonjë marrëveshje të fshehtë me Nismën. S’dihet çfarë loje po luan Kurti, a po luan blof për opozitën apo vërtetë i ka numrat, mbetet për t’u parë në seancën konstituive”.

Krahas kësaj, analisti paralajmëroi edhe befasi për këtë çështje, ku edhe parashikoi se Kurti me Limajn do hyjnë bashkë në seancën konstituive.

“Besoj, se mund të ketë edhe surpriza të këndshme dhe për opozitën jo të këndshme. Dyshoj dhe besoj shumë se ka marrëveshje me Nismën, dhe vetëm kur të futen në Kuvend Albini me Fatmirin krah për krah me njëri-tjetrin, duke u ulur në ulëset e mesit aty ku janë fituesit e zgjedhjeve”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *