OPINIONTË FUNDIT

Serbia ia ndaloi vizitën Hajrulla Çekut në Preshevë, kërkohet reagim nga BE dhe ndëshkim i shtetit serb

Serbia assesi të gjejë një gjuhë të përbashkët me Kosovën. Kosova Lindore është e banuar me shqiptarë por atje ka komeptenca edhe me tutje Serbia.

Së fundi, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i është refuzuar sërish vizita në Luginën e Preshevës, dhe kjo për herë të dytë.

Autoritetet serbe nuk e kanë lejuar vizitën e ministirt të Kosovës, në Preshevë.

Kështu njoftoi Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Sinani e ka quajtur këtë akt “i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-europiane”.

“Serbia sërish ndalon Ministrin e Kosovës–diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon! Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, ka shkruar Sinani.

Edhe deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, ka thënë se këto tentativa për t’i izoluar nuk mund ta zhbëjnë lidhjen e tyre historike, kulturore dhe njerëzore me Kosovën.

“Pengimi i vizitës së Ministrit Hajrulla Çeku në Preshevë nga autoritetet serbe, përpjekje e radhës për të izoluar shqiptarët e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Kur edhe shkëmbimi kulturor i pengon dëshmia më e mirë e karakterit autoritar, diskriminues e antishqiptarë i pushtetit të Vuçiqit.

Tentativat me na izolu dhe pengesat artificiale nuk mund ta zhbëjnë lidhjen tonë historike, kulturore dhe njerëzore me Kosovën”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në Facebook.

Ahmeti: Qeveria e Kosovës është mirë ta adresojë këtë çështje, pasi shumë herë është akuzuar pabazë nga BE-ja si jokonstruktive në dialog

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se BE-ja duhet të reagojë për ndalimin e vizitës së ministrit Hajrulla Çeku, pasi kjo nuk kishte qëllime politike, por ishte një vizitë e zakonshme.

ImageHidajet AhmetiFoto galeri
“BE-ja duhet të reagojë në këtë rast, pasi vizita e ministrit, Hajrulla Çeku, nuk ka ndonjë qëllim politik i cili do t’i jepte kahje tendencioze vizitës, por është thjesht një vizitë e zakonshme. Qeveria e Kosovës është mirë ta adresojë këtë çështje, pasi shumë herë është akuzuar pabazë nga BE-ja si jokonstruktive në dialog”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia është ajo që vepron në mënyrë destruktive, duke shkelur marrëveshjet e nënshkruara, duke shtuar se BE-ja duhet të jetë objektive dhe të dënojë veprimet e Serbisë.

“Ajo që e dëmton procesin e dialogut është Serbia, e cila vepron në mënyrë destruktive dhe mbi të gjitha duke shkelur parimet bazë të marrëveshjeve të nënshkruara mes palëve. BE-ja duhet të sillet në mënyrë objektive mes palëve dhe në këtë rast duhet të lëshojë një notë proteste ndaj Serbisë, e cila e përdor dialogun vetëm formalisht për t’iu afruar BE-së, e jo për të rregulluar raportet me shtetin e Kosovës.

Nëse BE-ja do të heshtë përballë këtij procesi, atëherë del në sipërfaqe fakti se po vepron me standarde të dyfishta mes palëve në dialog”, përfundon ai.

Hasani: Serbia duhet të sanksionohet në këtë drejtim, sepse kjo ndalesë është në kundërshtim me të gjitha aktet e BE-së, konventat dhe Kartën e OKB-së

Profesori nga Presheva, Refik Hasani shprehet se Kosova duhet të veprojë me reciprocitet ndaj Serbisë.

Sipas tij, nëse Serbia ndalon vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, atëherë edhe Kosova nuk duhet të lejojë vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë. Vetëm përmes barazisë dhe kushteve reciproke mund të zgjidhet kjo çështje.

“Nëse Serbia nuk ka lejuar Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, apo nuk lejon askënd të vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, asnjë Kryeministër, President, Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, apo ministra e komisione parlamentare, atëherë edhe Republika e Kosovës duhet të veprojë njësoj në mënyrë reciproke. Nuk duhet të lejojë askënd, qoftë krerë kishtarë, liderë politikë apo përfaqësues institucionalë nga Serbia, të vizitojnë Republikën e Kosovës.

Vetëm mbi baza të barabarta dhe në kushte reciproke mund të rregullohet kjo çështje, e assesi ndryshe. Nëse Serbia ndalon krerët institucionalë të Kosovës të vizitojnë bashkëvendasit e tyre në Serbi, atëherë edhe Kosova duhet të ndalojë vizitat e krerëve institucionalë të Serbisë te bashkëvendasit e tyre në Kosovë”, thotë ai.

Tutje, i nënvizoi faktin se Serbia po shkel aktet e BE-së dhe OKB-së duke ndaluar vizitat e zyrtarëve kosovarë, ndaj edhe duhet sanksionuar.

Ai thekson se BE-ja dhe OKB-ja duhet të sigurojnë trajtim të barabartë për të dyja palët, duke ndalur tolerimin e praktikave diskriminuese të Serbisë.

“Serbia duhet të sanksionohet në këtë drejtim, sepse kjo ndalesë është në kundërshtim me të gjitha aktet e BE-së, konventat dhe Kartën e OKB-së. Serbia duhet të ndëshkohet, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë standarde të dyfishta. BE-ja dhe instancat e OKB-së duhet të konstatojnë se vizitat duhet të lejohen në të dy anët, e jo vetëm Republika e Kosovës të lejojë, ndërsa Serbia të ndalojë.

Nëse ish-emisarët e BE-së, veçanërisht Mirosllav Lajçak, si përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kanë lejuar një praktikë të tillë, atëherë emisari i sapoemëruar i BE-së, Peter Sorensen, nuk duhet ta lejojë këtë padrejtësi”, deklaron ai.

Në fund, profesori vë gishtin te ish-emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, i cili sipas tij ka favorizuar Serbinë, duke lejuar rritjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Hasani thotë se Kosova s’duhet të lejojë vizita nga zyrtarët serbë derisa Serbia ndalon vizitat e liderëve shqiptarë në trojet shqiptare.

“Opinionit të gjerë i kujtojmë se ish-emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka bërë lëshime aq të mëdha sa ka tejkaluar edhe limitet e një emisari, duke qenë plotësisht i anshëm ndaj Serbisë. Ai ka lejuar që Serbia të shtojë dhe të rrisë diskriminimin ndaj Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ndërsa pakica serbe në Kosovë është favorizuar dhe trajtuar me diskriminim pozitiv.

Një nga provat që e gjithë bota e di është fakti se më 20 janar 2013 në Preshevë, me përdorimin e forcave të shumta policore dhe përmes një shtetrrethimi, u hoq dhunshëm lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së. Megjithatë, asnjë instancë apo mekanizëm i BE-së nuk reagoi për ta kthyer lapidarin aty ku e kishte vendin. Në të njëjtën kohë, pakica serbe në Kosovë jo vetëm që zhvillon aktivitete nacionaliste nëpër kisha dhe manastire, por ka ngritur edhe shtatore, buste e lapidarë të ndryshëm.

Për këtë arsye, Republika e Kosovës nuk duhet të lejojë krerët shtetërorë, kishtarë apo çfarëdo zyrtarësh nga Serbia të vizitojnë Kosovën, nëse Serbia nuk lejon vizitat në lokalitetet dhe vendbanimet e krahinës shqiptare të mbetura padrejtësisht nën administrimin e Serbisë”, përmbylli ai për gazetën “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *