Degradimi i LDK-së: nga Fehmi Agani ka ra tek Doarsa Kica Xhelili
Humbja e LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është aksidentale, është rezultat i shumë faktorëve e ndër kryesorët janë njerëzit që udhëheqin. Kryetari, nënkryetarët dhe kryesia bartin përgjegjësinë kryesore. Njerëz pa peshë politike me shpejtësinë e dritës arritën në pozita kryesore në parti, pa kaluar shkallët e ngjitjes në pozitë. Ndër ta, është edhe Doarsa Kica Xhelili. Ajo u promovua nga Vjosa Osmani, ku nga Guxo kaloi në LDK.
Një vit e gjysmë zgjati qëndrimi në pushtet i ish-deputetes nga “Guxo”. Një ditë në gusht të vitit 2022, Doarsa bëri “transferimin veror” tek LDK-ja. Doarsa dikur kërkonte vota për Vetëvendosjen, Albinin dhe veten e saj brenda koalicionit të përbashkët, të gjitha këto për të “zhdukur korrupsionin”.
Lumir Abdixhiku në prezentimin e Doarsës e kishte cilësuar si “vlerë të shtuar për LDK”, por pa specifikuar se cilat janë ato vlera. Pas një viti e gjysmë tjetër Doarsa u bë nënkryetare e LDK, edhe këtë radhë pa asnjë meritë. Në zgjedhjet e 9 shkurti ishte radhitur e treta në listën e LDK, ku mori 63164 vota duke u renditur e dyta me numrin më të madhë të votave.
Sigurisht të qenurit në renditje ndër të parët e ka faktorizuar, por pyetja qëndron-kush qëndron pas Doarsës, si është e mundur të ngjitet kaq shpejt në LDK dhe të merr kaq shumë vota dikush që s’ka peshë në LDK, jo në kuptimin e votave, por të vlerësimit, të asaj që është më tepër se votë e që është vota si rezultat i punës, angazhimit. Papjekuria e saj politike dëshmohet edhe me një deklratë të saj ndaj z.Hoti ku e cilësoi deklaratën e tij “qesharake” pas të cilës ajo u pendua duke thënë se ishte spontane.
Mungesën e seriozitetit dhe fjalëve pa sens Doarsa e shprehu edhe në rastin e përflitjeve për koalicion me VV, duke thënë se s’kemi vija të kuqe, por nuk bëjmë koalicion me Albin Kurtin. Thua se Kurti nuk është asgjë në VV, çka edhe një herë shpërfaq mjerimin e rënies së LDK-së, ku nga nënkryetar dikur kishte Fehmi Aganin ka rrëshqitur tek Doarsa Kica Xhelili.