Sveçla në Slloveni: Sulmi terrorist në Banjskë mbetet çështje e pazgjidhur
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla theksoi se sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur dhe kryesit e krimit janë ende të arratisur.
Ai këto komente i bëri sot në forumin e ministrave të brendshëm në kuadër të procesit të BRDO-s, ku të pranishëm ishin edhe komisionarja për Zgjerim Marta Kos dhe komisionari për Punë të Brendshme dhe Migrim Magnus Brunner.
Ky forum u mbajt me fokus në forcimin e bashkëpunimit me qëllim të luftimit efikas të terrorizmit dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Në fjalën e tij, Sveçla theksoi rezultatet në luftën ndaj terrorizmit por edhe sfidat që kemi në këtë drejtim për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Serbisë që të destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë.
Po ashtu, ai vuri në pah se vetëm në gjysmën e fundit 2024, në Kosovë kanë ndodhur 11 sulme që përfshijnë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, duke përfshirë sulmet ndaj Stacionit të Policisë në Zveçan dhe ndërtesës së Komunës, dhe ndaj kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok.
Në kuadër të luftës ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, Sveçla konfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve si mekanizmi kryesor në goditjen e rrjeteve kriminale dhe sjelljen e tyre para drejtësisë, si dhe mbrojtjen efikase të viktimave.
Më 24 shtator 2023 në Banjskë, një grup i armatosur i udhëhequr nga Milan Radoiçiq sulmoi Policinë e Kosovës, ku si pasojë mbeti i vrarë Afrim Bunjaku.
Radoiçiq pranoi organizimin e sulmit, pas të cilit iku në Serbi ku vazhdon të qëndrojë i lirë edhe pse Interpoli e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e armatosur terrorist në veri të Kosovës.
Ndërsa në shpërthimin, i cili u cilësua si terrorist në kanalin Ibër-Lepenc janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.
Ndaj këtij sulmi kanë reaguar edhe SHBA, BE dhe EULEX-i, duke kërkuar që autorët të kapen dhe të nxirren para drejtësisë. Para sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, në Zveçan janë sulmuar me granata dore objektet e stacionit policor dhe ai i Komunës.