Analistët komentojnë si mund të duket përbërja e re e kabinetit qeveritar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kundër certifikimit të rezultateve votuan dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pasi sipas tyre duhet pritur të gjitha mundësitë ligjore në lidhje me pretendimet e tyre për manipulim të votave me postë nga LDK-ja.
Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind dhe Lista Serbe 4.26 për qind.
Paraprakisht, në mbledhjen e së enjtes së KQZ-së u zhvillua debat në lidhje me zëvendësimin e tre kandidatëve që kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.
Megjithatë, KQZ-ja zëvendësoi Gazmend Muhaxherin dhe Imri Ahmeti me Arben Gashin dhe Paris Gurin nga LDK-ja, ndërsa Bedri Hamzën me Rashit Qalajn nga PDK-ja.
Muhaxheri, Ahmeti dhe Hamza kanë vendosur të mbajnë postin e kryetarit të komunës.
Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i Qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare.
Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit
Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.
Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.
Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre
Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri.
Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë së re.
Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 15 mars, LVV-ja ka fituar 42.30 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27 për qind.
Lëvizjes Vetëvendosje medoemos i nevojitet një koalicion për formimin e qeverisë së re, ndërsa zyrtarë nga kjo parti thonë se numrat janë dhe se qeveria e ardhshme do të jetë qeveria aktuale.
Gjersa deklaratat janë për një qeveri si kjo aktuale, lindin pyetjet nëse përbërja e saj do të jetë e njëjtë apo do të freskohet me emra të rinj.
Analistët politikë thonë se se përbërja e kabinetit qeveritar mund të jetë me ata që kanë treguar performancë të mirë dhe janë treguar të suksesshëm.
Zogaj: Nëse LVV arrin ta krijojë qeverinë, mendoj se shumë lehtë do ta formësojë kabinetin
ImageAnalisti politik Skënder ZogajFoto galeri
Analisti politik Skënder Zogaj, thotë se për formimin e qeverisë është e domosdoshme të përfillet Kushtetuta.
Ndërsa, sipas Zogajt, përbërja e ardhshme qeveritare i përket vullnetit të fituesit
“Përmbyllja e procesit zgjedhor dhe çertifikimi i rezultateve të partive politike, duhet të implementohet dhe sa më parë të krijohet qeveria e re. Është në vullnetin e fituesit se si do ta krijojë Qeverinë. Sa i përket mënyrës së formimit të Qeverisë është e domosdoshme të përfillet decidivisht Kushtetuta, ndërsa përbërja e ardhshme qeveritare i përket vullnetit të fituesit, i cili ka të drejtën e plotë të zgjedhjes së kuadrove që i konsideron më të mirat për ta jetësuar koncertin e vet qeverisës. Sa i përket ministrave që kanë fituar vota për të qenë deputetë, pasi të verifikohen mandati i tyre zyrtarisht në Kuvend, ata zgjedhin deputetllëkun ose me bekimin e Kryeministrit e vazhdojnë postin ministror. Dorëheqjes me këtë rast është një formalitet krejtësisht i parëndësishëm”, shprehet Zogaj.
Sipas tij, ministrat e suksesshëm janë resurse të vlershme që meritojnë kujdesin, sepse janë siguri e suksesit.
Por, edhe prurjet e reja, shton Zogaj, duhet të merren parasysh.
“Nëse LVV arrin ta krijojë qeverinë, mendoj se shumë lehtë do ta formësojë kabinetin qeveritar, sepse e ka vlerësuar mirë performancën e të gjithë ministrave. Prandaj, është krejtësisht normale që ministrave të suksesshëm t’u vazhdojë mandati i radhës! Kjo është mënyra e përvojave të mira, sepse është e dëshmuar që ministrat e suksesshëm janë resurse të vlefshme që e meritojnë kujdesin, sepse janë siguri për suksesin. Por, edhe prurjet e reja, sidomos specialistët e fushave përkatëse profesionale, duhet pasur parasysh, sepse janë garanci për suksesin.”, thotë analisti.
Burjani: Qytetarët janë të mllefosur për 20 vjet me radhë dhe nuk e duan më opozitën aktuale
Ndërsa, analisti Blerim Burjani vlerëson se kabineti qeveritar mund të jetë ky aktual me disa ndryshime të vogla.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Dorëheqja është dashur të bëhet, edhe ashtu kjo qeveri dhe as parlamenti nuk kanë kurrfarë kredibiliteti për të ushtruar detyrat e tyre. Nuk dihet se a do të ketë koalicion apo jo, VV me dikë, pra janë të heshtur. Kabineti, edhe nëse VV e formon qeverinë, mund të jetë ky aktual me disa ndryshime të vogla”, pohon Burjani.
Ai “këshillon” Kurtin që të ndryshojë në MPJ, në ministrinë e Drejtësisë, në Arsim.
“Duhet të kishte plotësisht një kabinet tjetër, pra ky aktual nuk ka ofruar asgjë që mund të përmendet. VV duhet të ndryshojë plotësisht këtë kabinet aktual, përndryshe është e dështuar. Kurti do të vendosë për njerëz të dëgjuar në kabinet, të padishëm, dhe vetëm një numër i caktuar në këtë kabinet mund të jenë profesionalë. Dështime ka në MPJ, në Ministrinë e Drejtësisë, në Arsim, në reformat ekonomike, sociale dhe pensionale. Pra, diçka krejtësisht e re duhet të ofrojë Kurti, sepse përveç popullaritetit dhe votuesve, nuk ka asgjë tjetër. Qytetarët janë të mllefosur për 20 vjet me radhë dhe nuk e duan më opozitën aktuale”, përfundon analisti.