POLITIKATË FUNDIT

Jakupi thotë se këta individë po e pengojnë formimin e koalicionit LVV-LDK: Albin Kurti kurrë nuk e ka urryer LDK-në, por..

Çështja e krijimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës po vazhdon të jetë në qendër të vëmednjes së politikës ditore në vendin tonë.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë te ditur se si po planifikon ta formojë qeverinë, derisa përveç Nismës asnjë nga partitë opozitare nuk kanë shprehur dëshirën që t’i bashkëngjiten në koalicion pas-zgjedhor.

Një opsion mjaft i “lakmueshëm” në opinion po vazhdon të jetë koalicioni i Vetëvendosjes me LDK-në e cila doli partia e tretë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në një deklaratë për gazetën “Bota Sot”, analisti politik Zejnullah Jakupi ka theksuar rëndësinë e krijimit të një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), GUXO, Alternativës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për sigurimin e një qeverie stabile që mund të sigurojë vendimmarrje për çështje të rëndësishme për vendin.

Jakupi e sheh këtë koalicion si të mundshëm dhe thelbësor për të siguruar një mandat të dytë për presidenten Vjosa Osmani, e cila, sipas tij, ka paraqitur vendin më mirë se çdo kandidat tjetër, përveç ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova.

“Koalicioni i LVV-së GUXO dhe Alternativa duke përfshi LDK do e mundësojë një qeveri stabile që siguron stabilitet dhe mundëson vendimmarrje për çështje të rëndësishme në vend, për shumë arsye; E para mundëson që t´i sigurojë votat edhe për një mandat për presidenten Vjosa Osmani. Kjo ka rëndësi sepse z. Vjosa Osmani e ka prezenatuar vendin më mirë se çdo kandidat deri tani përjashto ish-presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova. Roli i saj ka qenë një fuqizim i shtetësisë, prezantimit dinjitoz të Kosovës në takimet ndërkombëtare ku presidentja ka shkëlqyer dhe ka shërbyer si shembull edhe për shumë shtete të botës se si duhet të jetë një presidente e kompletuar. Për momentin as LVV por as LDK nuk e ka një figurë të tillë që do të mund ta zëvendësonte Vjosa Osmanin. Zgjatja e mandatit është i domosdoshëm edhe për shkak të zhvillimeve globale dhe natyrisht edhe për shkak të shumë çështjeve që presin të zgjidhen në gjitha aspektet”, ka thënë Jakupi për “Bota sot”.

Sipas tij, përfshirja e LDK-së në Qeverinë e re është tejet i rëndësishme, sepse në shumë qëndrime LDK dhe LVV përputhen, sepse nga qeveria Kurti I u bë përafrimi mes këtyre dy subjekteve edhe pse kishte mocion për rrëzimin e qeverisë Kurti I.

“Ishte po kjo LDK në krye me Lumir Abdixhikun që i mundësoi Vjosa Osmanit të zgjidhet presidente dhe natyrisht LDK ka përparësi krahasuar me PDK-në. Koalicioni mes tyre është i shëndosh dhe funksional, siç ndodhi edhe në Gjermani ku dy subjekte me orientime të ndryshme ideologjike u bënë bashkë për të mirën e vendit. Në rastin e Kosovës nuk ka dallime të mëdha ideologjike sa ka dallime të biografisë se elitës të subjekteve politike, që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe forcimin e institucioneve”, u shpreh Jakupi për “Bota sot”.

Analisti i përmendi përçarjet brenda LDK-së, ku sipas tij, disa individë, si Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, janë të mbështetur nga PDK dhe po tentojnë të pengojnë koalicionin me LVV-në.

“Por natyrisht kur u kuptua se Lumir Abdixhiku do mund të bënte një koalicion me LVV filluan përçarjet në parti me qëllim që të mos mundësohet hyrja në qeveri. Dhe së fundi deklarimi i Lutfi Hazirit tregoi qartë më shumë se deklarimet e AVdullah Hotit se z. Haziri dhe z. Agim Veliu dirigjohen dhe ndikohen nga PDK prandaj ndikimi për të filluar përçarjet vijnë nga andej.

Deklarimet e z. Haziri dhe Veliu se koalicioni me LVV është i dëmshëm për Kosovën tregon se këta nuk kanë principe. E si mundet që PDK me kaq involvim dhe përlyerje në korrupsion, madje krerët e saj në Hag të akuzuar – madje edhe nga vet politikanët e LDK-së për vrasjet politike, si është e mundur që sërish z. Haziri u shkon në prehër. Pra ka aktorë në PDK që i mbajnë nën kontroll Lutfi Hazirin dhe Agim Veliun”, nënvizon ai.

Për Jakupin, hyrja e LDK-së në këtë koalicion do të forconte partinë dhe nuk do të dëmtonte trashëgiminë e Rugovizmit. Ai shton se Albin Kurti nuk ka urryer LDK-në si tërësi, por ka kritikuar anën e errët të kësaj partie, duke e luftuar korrupsionin dhe privatizimin e aseteve publike.

“Natyrisht hyrja e LDK-së në Koalicion me LVV- nuk e dobëson as nuk ja zhbën rrugën e Rugovizmit por e forcon LDK-në, sepse Albin Kurti kurrë nuk e ka urryer LDK-në se kjo parti e përfaqëson dhe e forcon frymën Rugoviane, por e ka kritikuar dhe luftuar anën e keqe, të asaj LDK- apo atyre fytyrave që i privatizonin asetet publike apo i privatizionin doganat e shtetit për përfitime personale. Ata njerëz që krijojnë tani përçarje në LDK, vetëm e vetëm që LDK të mos hyjë në koalicion me LVV- nuk ja duan të mirën Kosovës. Por me sa shihet Lumir Abdixhiku duhet të forcojë radhët, është kryetar dhe duhet të vendos të ecë përpara edhe të marrë mbi supet përgjegjësinë që i takon. Natyrisht nëse arrihet ky koalicion dukshëm do të dobësohet pjesa tjetër e opozitës, PDK, AAK dhe Lista Serbe”, ka përfunduar analisti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *