OPINIONTË FUNDIT

“Vijat e kuqe” për LVV-në, Bytyçi zbërthen prapaskenat: Ja kush e ‘urdhëroi’ opozitën të bëhet bashkë kundër Kurtit!

Opozita duket se ka filluar planet për formimin e një qeverie, pa partinë fituese Lëvizjen Vetëvendosje.

E kjo u konfirmua ditë më parë, nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili u shpreh se gjatë javëve të fundit, nuk ka pasur asnjë bisedë mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ka thënë se kryetari Abdixhiku ka pasur takime dhe iniciativa me partitë opozitare, duke përmendur biseda me Bedri Hamzën, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj.

“Asnjëherë nuk ka biseduar me VV-në këto javët e fundit. Ka iniciativë me partitë politike të tjera që vijnë nga opozita. Ajo iniciativë ka shkaktuar takime me Hamzën, Memli Krasniqin, Ramush Haradinaj”, tha Haziri

Ai tha se LDK është e interesuar për të udhëhequr qeverinë.

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Si fillim, ai tha se formimi i qeverisë së re u vonua për shkak të KQZ-së dhe ‘intrigave’ të opozitës për ta zvarritur procesin.

Sa i përket takimit të lidervëve opozitar, ai beson se kjo gjë është “urdhëruar” nga dikush.

ImageProfesori Enver Bytyçi.Foto galeri
“Duket se formimi i qeverisë së re të Kosovës është tashmë e vonuar. Për këtë ka pjesën e tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili për mua nuk e menaxhoi si duhet procesin zgjedhor. Ky komision ka punuar më dobët se çdo komision i mëparshëm. U zvarrit shumë numërimi dhe këtë nuk e meritonte Kosovan ë këto kohë të vështira. Sikur të mos mjaftonte kjo, tani formimin e qeverisë po e pengon dhe zvarrit intriga politike. Opozita e Kosovës është e përçarë. Në kushtet që ajo ndodhet nuk ka për të krijuar asnjë lloj qeverie. Konsultimet midis Lumir Abdixhikut. Bederi Hamzës dhe Ramush Haradinajt janë urdhëruar nga dikush, por ato nuk funksionojnë dhe nuk çojnë në krijimin e një qeverie me opozitarët.

Morali politik nuk e pranon që një koalicion tripartiak i opozitës të formojë një qeveri, edhe pse këto tri parti kanë afërsisht po aq vende në parlament sa edhe partia fituese e Vetëvendosjes. Madje, nëse kemi parasysh se tre deputetët e Nismës janë në anën e parties fituese të Albin Kurtit, atëherë del se fituesit kanë një ose dy deputetë më shumë se të tri partitë opozitare në përpjekje për krijimin e qeverisë së re”

Krahas kësaj, Bytyçi u shpreh se pas kësaj “aventure” fshihen Rama dhe Vuçiq, të cilët njihen për urrejtjen që kanë ndaj Kurtit.

“Po kush mund të jetë pas kësaj aventure? Unë besoj se pas këtyre përpjekjeve qëndron Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq. Të dy këta janë hakmarrës të pashembullt. Janë liderë me ego të sëmurë deri në psikopati. Ata e urrejnë faktin që Albin Kurti dhe qeveria e tij i ka përballuar me sukses të gjitha provokimet e presionet e dy liderëve autokratë të Ballkanit. Ne kemi parë, sidomos gjatë samiteve të Open Balkan, se Edi Rama ka qenë më radikal në kritikat dhe akuzat e presionet kundër zotit Kurti, sesa Aleksandër Vuçiq. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por duhej që bota ta besonte se “Në raportet e këqija të Kosovës me Serbinë, fajtore të shpallej Kosova”! Po të shfaqej arrogant presidenti I Serbisë, atëherë nuk arrihej qëllimi i Beogradit për ta paraqit Albin Kurtin si “nacionalist dhe problemin e rajonit”! Duhej që akuzat e Beogradit t’i bënte kryeministri I Shqipërisë, që të krijohej ky imazh i keq për Kosovën e të rehabilitohej Serbia”, potencoi profesori.

Megjithatë, ai konsideori se Kurti i ka përballuar mirë përpjekjet e Ramës e Beogradit për ta dëmtuar Kosovën.

Për këtë, beson që duan ta sfidojnë me formimin e qeverisë nga opozita, ku me këtë rast përmendi edhe lidhjet e Ramës me PDK-në.

“Mirëpo, kryeministri Kurti në shumicën e rasteve i sfidoi këto përpjekje për ta lënduar shtetin e Kosovës. Prandaj dhe Rama e Vuçiqi nuk ia falin atij këtë rezistencë. Duan ta sfidojnë me krijimin e një qeverie të opozitës. Nuk ka për të funksionuar. Thjesht po zvarritet formimi i qeverisë dhe kjo është gjë e keqe për Kosovën. Megjithatë në këtë lojë politike Edi Rama është plotësisht aktiv. Për ta mënjanuar Albin Kurtin nga pushteti ai përdor klanin Pronto të PDK-së, klan me të cilin mban lidhje shumë të ngushta. Nuk po përmend emra, sepse ata që mbështesin e mbështeten te Edi Rama e që janë në PDK tregojnë vetë në çdo deklaratë që bëjnë. Më tej, Rama shfrytëzon ambicjet e Ramush Haradinaj për pushtet dhe e nxit atë të luftojë me mjete radikale kundër kryeministrit të Kosovës. E pamë këtë me zë e me figurë edhe në mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve para disa muajsh. Dhe së fundmi, kryeministri i Shqipërisë ka aktivizuar Devollët që të tërheqin Lumir Abdixhikun në mbështetje të planit të tij për mënjanimin e Kurtit nga pushteti”.

Tutje, profesori foli për “intrigat djallëzore të politikë”, ku vazhdoi me kritika në drejtim të kryeministrit të Shqipërisë dhe qasjes së tij ndaj Kosovës.

“Janë fije që luhen me intriga djallëzore në errësirën e politikës në linjën Tiranë-Prishtinë e që në fakt burimin e kanë në Beograd. Ka nga ata që besojnë se janë europianët dhe amerikanët ata që ndërhyjnë në këto manovra politike provincialësh në këtë Ballkanin tonë. Por askush nuk ka kohë të merret me atë se kush e krijon qeverinë e re në Kosovë. Ata që e kanë këtë kohë të mjaftueshme për të tilla intriga dhe kurthe janë politikanët anti-Kosovë të Ballkanit, që përveçse në Serbi gjenden edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

Në Kosovë, shqiptarët dhe politikanët atdhetarë duhet të dinë se kur kryeministri i Shqipërisë hesht, pikërisht në atë moment po thur fijet politike të kurthës së vet kundër Kosovës. E di se ka prej atyre që thonë se këto janë të pavërteta. Por sentimenti i kryeministrit të Shqipërisë dhe mendja e tij punojnë në llogarinë politike të Aleksandër Vuçiq. Duhet ditur se ai është peng i Beogradit. I komprementuar jo vetëm politikisht, por në shumë forma të tjera. Dhe kush pret diçka mdryshe nga sa thamë, gabohet”, shpjegoi ai.

Në fund, Bytyçi shtoi se qeveria do krijohet nga partia fituese, ku në këtë pikë i propozoi LDK-së që të hyjë në koalicion me LVV-në, pasi një qeveri e tillë do i bënte ballë sfidave që e presin Kosovën.

“Por qeveria e re do të krijohet nga fituesit. Është mirë që Lidhja Demokratike e Kosovës, siç thoshte Anton Quni, të dëshmojë përgjegjësi politike e patriotike dhe të votojë hyrjen në koalicion me zotin Kurti. Vetë Albin Kurti duhet ta marrë shumë seriozisht këtë opsion. Sepse rugovistët ai i ka në qeverisje tashme prej pesë vitesh. E kam fjalën për deputetët e Listës Guxo. Por nuk do jetë keq që qeveria të krijohej nga politikanët e pastër të VV, LDK-së dhe PDK-së. Një qeveri me bazë të gjerë do të kishte më shumë përgjegjësi dhe mundësi për të përballuar sfidat e mëdha e të vështira të kohëve tona”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *