Mehmeti: Pse familja Jashari nuk mori pjesë në varrimin e babait të Hashim Thaçit?
Faton Mehmeti
Babai i Hashim Thaçit ndërroi jetë para pak ditësh, baci Haxhi u varros në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt. Varrimi i tij u përcoll nga mijëra njerëz, e u bë më i dhimbshëm për faktin se i biri i tij, Hashimi, ish-President i Republikës, nuk u lejua të marrë pjesë në varrim nga Gjykata Speciale, atje ku po mbahet në paraburgim nën akuzat për keqtrajtim, burgosje të shqiptarëve dhe të tjerëve.
Pavarësisht se në varrimin e tij kishte shumë qytetarë dhe delegacione nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe këshilltarë të Presidentës, aty mungoi familja Jashari. Askush nga kjo familje nuk u pa në varrim dhe në organizime të tjera për vdekjen e Haxhi Thaçit.
Mungesa e tyre nuk është rastësi, ka kohë që raportet e familjes legjendare me ish presidentin Thaçi janë ndërprerë dhe duket se as vdekja nuk i bashkoi.Ajo që duket si mosmarrëveshje po del të jetë më shumë se kaq.
Para pak kohësh Bekim Jashari ka sqaruar arsyen e cila duket se lidhet me faktin se pse nuk flasin ish-presidenti, Hashim Thaçi me të birin e komandantit legjendar, Lulzim Jashari. Sipas Bekimit, “sa i përket prishjes me Hashim Thaçin, s’ka të bëj aspak rreth parasë, asnjëherë,në kohën kur është menaxhuar kompleksi nga Ministria e Ambientit. Luli i ka thënë troç: ‘Nuk më intereson kush i merr(tenderat), por në momentin që une dëgjoj që lypni 10 përqind, haraq firmave edhe në këtë vend, mbi gjakun e atyre, harrojeni që ka me ju shkel këmba në Prekaz”.
Duket se pas këtij takimi janë prishur raportete që ishte vetëm ajo që tregohet pasi, sipas Bekimit” tjera gjëra nuk janë për publikun, por ka të bëj me çështje gjatë luftës e menjëherë pas luftës”, kishte sqaruar më tutje djali i heroit Hamzë Jashari. Kjo gjë shpjegon më së miri ndasitë mes familjes Jashari dhe Hashim Thaçit, ku për pasojë nuk i bashkon më as vdekja.
Duket se Thaçi ka bërë veprime të shëmtuara gjatë dhe pas luftës e që nuk janë në interes të vendit dhe luftës çlirimtare. Sigurisht se ka edhe shumë gjëra që opinioni publik nuk i di, fakti se familja Jashari nuk mori pjesë në varrim shpërfaq më së miri gabimet e mëdha që Thaçi ka bërë ndaj familjes Jashari.