Bytyçi: Një interpretim i gabuar i Blendi Fevziut për bashkimin kombëtar!
Gazetari i njohur, Blendi Fevziu, i cili hiqet si “fuqiplotë” në mendimin e tij, thoshte këto ditë se bashkimin kombëtar, perveç faktorit ndërkombëtar, e pengon ideja e ngjizur sidomos në Kosovë, se “më mirë është të jesh i pari në fshatin tënd, sesa në një mjedis urban”! Pra, sipas tij, Kosova dhe kosovarët nuk e duan bashkimin me Shqipërinë, pasiqë dashkan të jenë të parë në Kosovë dhe jo të dytë në Shqipëri. Ai nuk ndalet në asgjë tjetër, përveç mentalitetit të “bajraktarit” të shqiptarëve, sidomos atyre të Kosovës. Meqenëse Fevziu e redukton kësisoj problemin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, meqenëse ai nuk ndalon në aspekte reale e të së drejtës, më duhet që të shpreh disa mendime për publikun shqiptar.
E para, nuk është e vërtetë se shqiptarët në Kosovë “duan të jenë të parë në fshatin e tyre” e për këtë arsye refuzojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo për shkak se Kosova deri para një dekade është shprehur qartësisht në numër më të madh se ne në Shqipëri për bashkimin kombëtar. Po çfarë ndodhi që sot numri i shqiptarëve në Kosovë është në rënie me pëlqimin për këtë akt? Fevziu e di se bashkimi, ashtu si ndarja, janë çeshtje besimi. Çdokush bashkohet me dikë, nëse mes tyre ekziston besimi. Nëse tronditet besimi, nëse njëra palë shfaq elementë të mosbesimit dhe krijon përçarje, atëherë nuk mund të ketë bashkim. Edhe ndarja vjen si rezultat i mosbesimit.
Blendi Fevziu, ashtu si gjithë shqiptarët në Kosovë e në Shqipëri, e di se në 12 vitet e fundit besueshmëria ndaj shtetit shqiptar është tronditur si kurrë më parë. As në kohën e diktaturës nuk ka patur një ndarje të tillë. Dhe kjo erdhi për ato arsye, të cilat Fevziu i di, por nuk dëshiron t’i thotë. Ndodhi, sepse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u investua totalisht në favor të interesave serbe e anti-kosovare në rajon. Kryeministri i Shqipërisë rehabilitoi presidentin e Serbisë dhe shtetin serb në Perendim. E mori në mbrojtje deri në forumet e NATO-s regjimin e Aleksandër Vuçiq. Edi Rama ndoqi pikë për pikë idetë e projekteve serbe për Kosovën. Mbështeti fillimisht krijimin e një Jugosllavie të Re, me Kosovën nën sovranitetin serb dhe me Shqipërinë pjesë e saj. Mbështeti më pas ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. Dhe mori përsipër “Kalin e Trojës” sa i përket Minishengemit të transformuar me propozimin e Sorosit në Open Balkan.
Më tej akoma! Kryeministri i Shqipërisë fillimisht shkoi në Kosovë në vizitë zyrtare dhe nuk takoi homolugun e tij, Isa Mustafën. U mor vetëm me presidentin e Kosovës. Edi Rama i tha publikisht kryeministrit të Kosovës (Haradinajt) “gomar”! Madje e paditi në gjyq! Edi Rama e injoroi, e kërcënoi dhe i vuri sanksione kryeministrit dhe qeverisë Kurti të Kosovës. Kryeminitri i Shqipërisë mori anën e Serbisë edhe sa i përket dialogut dhe Asosacionit serb në Kosovë. Edi Rama u përqafua 11 herë brenda një viti me presidentin e Serbisë. U shtrënguan fort e u puthën me njëri-tjetrin, gjithnjë si karshillëk ndaj kryeministrit të Kosovës. Më shumë e kanë mbrojtur Kosovën shtetarët e Kroacisë, sesa shtetarët e Rilindjes së Shqipërisë së Edi Ramës.
Mund të rendis një milion fakte e arsye të tjera, por mjaftojnë këto që mos-besimi i Kosovës dhe kosovarëve ndaj një Shqipërie që mban në krye të shtetit një narco-mafioz, si Edi Rama, për të dëshmuar se nuk janë të vërteta akuzat e Blendi Fevziut ndaj Kosovës dhe kosovarëve. Ai i di këto, por kam ndjesinë se këtë bashkim të Kosovës edhe Fevziu e sheh si shansin e tij për të zgjeruar mashtrimin në tregun e djallëzive kundër Kosovës. Si mund të dojë të bashkohet Kosova me një shtet, në krye të të cilit është një anti-kosovar e anti-kombëtar i çertifikuar, i cili në shenjë urrejtjeve e detyron të paguajë 10 euro për një rrugë nga Kosova në Shqipëri?! Armiqësinë e Edi Ramës kundër Kosovës e transformon me dashakeqësi në mentalitetin e “të parit të fshatit”! Ky është një spekullim.
Së dyti, një leksion për Fevziun dhe të gjithë ata që i besojnë atij për bashkimin kombëtar. Sipas së drejtës ndërkombëtare, bashkimi i një territori me territorin e një shteti tjetër, bëhet duke u bazuar në vullnetin e tri palëve. Palës nga e cila shkëputet ky territor. (Kosova shkëputet nga Serbia, pra duhet të jetë dakord Serbia). Pala, së cilës kërkon t’i bashkohet. (Në rastin konkret presupozohet se Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë. Pra Shqipëria duhet të jetë dakord). Dhe vetë palës që kërkon shkëputje e njëkohësisht bashkim me një shtet tjetër. (Pra palës së Kosovës). Ky rregull ndërkombëtar vlen së paku sa kohë që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Fevziu e di se Serbia nuk e jep këtë pëlqimin e saj që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Nëse do ta jepte këtë pëlqim, ajo do të kërkonte minimumi ndarjen e saj, pra bashkimin e gjysmës së Kosovës më Shqipërinë dhe të gjysmës tjetër me Serbinë. Përveç faktit se shkëputja dhe bashkimi i një territori duhet ta ketë edhe dakordësinë e fqinjëve në rajon.
Edhe këtë rregull Fevziu duhet ta dijë. Unë e besoj se ai e ka të qartë këtë. Pse atëherë insiston në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Sepse dëshiron ndarjen e Kosovës?! Personalisht e besoj këtë hipotezë, sepse përpjekjet e Ramës e të Thaçit për ndarjen e Kosovës në emër të korrigjimit të kufijve, kanë njollosur edhe vetë Fevziun. Ai u kthye në atë kohë (2018-2020) në kryepropagandistin më të madh të kësaj teorie, së bashku me Baton Haxhiun. Madje me shkop tregues në dorë, duke na treguar vijat e ndarjes dhe duke na predikuar se “nuk bëhet nami pse Kosova i jep Serbisë pasuritë e saj më të çmuara mbi e nëntokësore”! Unë dua të besoj se Fevziu mendon se po ndodhi ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë, bie poshtë poshtërsia e tij dhe e miqve si Rama e Thaçi në këtë lojë të projektit të Serbisë.
Së treti. Kosova e kosovarët nuk janë qorra dhe as shurdhë. Ata e shohin se si qeveritë e Tiranës janë sjellë që prej vitit 1944 e këtej me Shqipërinë e Veriut. E kanë diskriminuar si në asnjë vend tjetër. Ata nuk panë në këto 12 vite asnjë politikë ekuilibri të zhvillimit kombëtar. Pasuritë nëntokësore dhe energjitike janë në veri, ndërkohë që veriorët janë më të varfërit e Europës! Ka mjaftuar një rrugë gjatë sezonit turistik në Shëngjin e në Shkodër që kosovarët të provojnë se dyfishi i kohës së udhëtimit kalon në 10 km në bajpasin e Lezhës, krahasuar me gjithë kohën tjetër të udhëtimit nga Prishtina në Milot. Kanë parë faktin se në jug të Shqipërisë ka autostrada dhe tunele, por askush nuk paguan taksë për to e në veri taksat sa vijnë e shtohen. Pse u dashka që ata të pranojnë tiraninë diskriminuese të një shteti të narcos. O Fevzi?!
Nuk kisha dashur të bëja një replikë si kjo me Blendi Fevziun. Por në këtë çeshtje, për shumë më pak arsye kam replikuar me mikun tim më të mirë, Arian Starova e jo më me Blendi Fevziun. Kosova duhet të shohë interesat e saj dhe të hedhë poshtë me neveri çdo përpjekje provokuese të Fevziut dhe miqve të tij si Baton Haxhiu! Kosova nuk mund ta ketë model Shqipërinë e sotme për asgjë. As vetë Fevziun nuk duhet e nuk duhet ta bëjë model të sherreve në ekranet televizive që manipulojnë opinionin publik. Shihni ata që janë gazetarë miq të Fevziut në Kosovë sa destruktivë që janë dhe nxirreni vetë konkluzionin tuaj!