OPINIONTË FUNDIT

“Në rast të refuzimit të koalicionit aktual, me LVV, do ta humbiste shansin, për ta bërë LDK-në kryezonjë”

Rezultatet zgjedhore ende nuk janë shpallur zyrtarisht nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Derisa të vjen ky vendim, po përmenden mundësitë për krijimin e qeverisë së re. Një mundësi të formimit të institucioneve të reja e ka përmendur edhe publicisti dhe veprimtari, Idriz Zeqiraj.

Ai thekson se, dy subjektet politike, LVV-LDK, kanë provuar bashkëqeverisjen, më 2019, edhe pse jetëshkurtër.

“LDK-ka përvojën e mjaftueshme të koalicioneve dhe nuk e ka babëzitjen dhe pacipërinë për të marrë me pre deputetë, 4 (katër) ministri, siç bënte kozmopoliti Pacolli. Dihet se LDK-ja nuk është në pozitën e favorshme, për të kërkuar më shumë se sa i takon. Por, kam bindjen se do të ishin partnerë serioz e fisnik. Ndërkohë që subjektet tjera politike i shantazhonin krerët e partive të tyre, për poste ministrore, madje pa qenë as profesionistë përkatës, kryeministri Kurti vendosi standard të ri. “Kemi fituar tej 400 mijë vota, ndërkohë që një qeverie i nevojitën vetëm një duzinë ministrash. Prandaj do të përzgjedhim dhe emërojmë ministra profesionistë, për fushat përkatëse, qoftë edhe jashtë anëtarësisë të partisë, LVV!” Dhe, ashtu bëri. Kryeministri i mbrojti ministrat e tij, deri në përfundim të mandatit, edhe pse, herë pas here, opozita ia kërkonin, vend e pa vend, shkarkimin e tyre! Dhe, mirë bëri, sepse një opozitë destruktive dhe hiç serioze, si ajo e PAN-it, nuk meritonte as respekt dhe as vëmendje. Ishte po kjo opozitë që kërkonte, në vijimësi, edhe shkarkimin e Qeverisë Kurti-2, por edhe spiunonte tek ndërkombëtarët, madje edhe në dëm të Kosovës. Opozita PAN-iste shkoi edhe me larg, akuzoi publikisht Kurtin, se “nën maskën e shtrirjes të sovranitetit, në veriun e Kosovës, po provokon serbët, njësoj si Millosheviqi dikur shqiptarët!” Dhe, koordinonte akuzat me Serbinë, për shkarkimin e tij”, thekson ai.

Zeqiraj thotë se LDK-ja konsiderohet parti akademike, me kuadro të bollshme dhe me një edukatë supreme.

“Rast i rrallë, në mos unik, është ndikimi, gjithnjë, për të mirë, i -Neriut Rugovë- tek anëtarësia, elektorati i LDK-së. Për ndryshim nga “yrishnikët” kumandarë” kundërshtarë, të cilët, rrejshëm e falsifikueshëm, kanë mohuar kontributin për paqe dhe luftë të partisë zëmadhe të arkitektit të pavarësisë të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Është koha që LDK-ja, sërishmi, të dëshmohet me angazhimin e saj edhe në kohën zezonë, për popullin dhe Kosovën tonë. Kam bindjen se, nëse arrihet pajtueshmëria për bashkëqeverisje: LVV, Alternativa, Guxo – me LDK-në, do të mbizotërojë arsyeja e -ndarjes së tortës- mes tyre meritueshëm e fisnikërisht, gjithnjë në interes të administrimit korrekt dhe të përgjegjshëm të Kosovës. Në shkrimet tona mjaftohemi ta përmendim vetëm LVV, duke nënkuptuar edhe dy partneret simpatike, Alternativa dhe Guxo, të cilat kanë qenë fituese bindëse, respektivisht, me 7 dhe 6 deputetë cilësorë, me votim masiv. Shqiptarët njerëzorë e kanë përjetuar rëndë sulmin e padrejtë, të poshtër dhe, skajshëm, kriminal, të kryetares dinjitoze, Mimozë Kusari-Lila, për një bisedë aksidentale, disa sekondshe, të kurdisur nga BIA serbe dhe argatët e saj gazetarë shqipfolës, zuzarë e mjeranë, në shërbim të politikës së Beogradit zyrtar. Shumësia rekord e votave për qëndrestaren Mimozë, është përgjigja më e mirë demantuese për horrakët hafije të hershëm dhe të tashëm të Serbisë”, vlerëson ai.

Veprimtari Zeqiraj, thotë se bëri këtë sqarim, sepse ka pasur një rrjedhë të dhimbshme, me burgje dhe vuajtje, me goditje të egër dhe tërësisht të padrejtë. Ai thotë se është përcaktimi parimor për ta thënë të vërtetën, pavarësisht çmimit. Andaj, kam ndarë shqetësimin, deri në dhimbje, me Mimozën. Edhe prekja e saj nga kanceri i gjirit, pikërisht, në këtë kohë të një sulmi frontal, druaj që ka ndikuar edhe në nismën e sëmundjes. Sepse mjekësia ka hedhur dyshimin, se stresi shkakton edhe goditje të kësaj natyre. Për ta goditur Qeverinë Kurti, pse po shtrinte sovranitetin, tërësisht të munguar, në veriun e Kosovës, Serbia me agjentet e saj në mediet e Kosovës, eksponentë të PDK-së, në koordinim me BIA serbe, përgjonin dhe kurdisën “aferën” kundër Mimozës.

“Ndarja e posteve ministrore në mes të partnerëve në koalicion, është një përgjegjësi e rëndësisë së parë. Sepse nga përgaditja profesionale dhe aftësia menaxhuese, suksesi i dikasterit përkatës është i garantuar. LDK-ja ka pasur një qeverisje të suksesshme në ministrinë e Ekonomisë, në Financa, në Arsimin, Infrastrukturën, pa afera dhe skandale. Posti i zëvendës-kryeminstrit, domosdoshmërisht, duhet t`i përkas LDK-së. Por, ama, jo një emresë për numër, por të jetë i konsultuar dhe i dëgjuar në vendimmarrje të përbashkët me kryeministrin. Nuk po vazhdoj me emërtesa, sepse edhe Alternativa dhe Guxo meritojnë pjesën e trofesë së tyre. Ato duhet të marrin nga një Ministri me peshë dhe një ministri tjetër të dorës së dytë”, thekson ai.

Ai thotë poashtu se, Kryeministrin nuk po e fusim në llogari. Organet, ministritë e -Diktaturës të Proletariatit-, siç i quanin komunistët ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshme, të Drejtësisë, janë domene të Lëvizjes Vetëvendosjes. Hisen ministrale e kanë edhe minoritetet, si pjesë përbërëse të Atdheut të përbashkët Kosovë.

“Në Kosovë shpërfaqet një mendësi e gabuar, por që përbënë faj, kur shqiptarët i quajnë minoritetet ardhacak, sidomos serbët! Kjo është e dëmshme, deri në fajësi, sepse president ka të drejtë të bëhet, nëse votohet, kushdo që ka lindur në SHBA. Shembull, presidenti Obama, madje me ngjyrë. Emri i artisti të mirënjohur, Schëarzeneger, është lakuar për postin e presidentit, por pengesë kushtetuese ishte se ai ka lindur jashtë Amerikës. Megjithatë, ishte Guvernator i Kalifornisë. Mbretëria e Bashkuar, (Anglia), shquhet për konservatorizëm kombëtar. Por kryetar i Londrës u bë një arab! Kishte të drejtë Kurti dhe LVV e tij, kur kundërshtonte regjistrimin për zgjedhje të Listës Serbe, sepse e kishte mbushur kupën, për të qenë e jashtëligjshme, por Opozita e Bashkuar nuk pranoi ta bënte këtë. Përndryshe nuk do të duhej të lavdërohen subjektet politike shqiptare, duke thënë se nuk bëjmë koalicion me serbët, sikur ata të jenë me sëmundjen ngjitëse të leprozës. Në këtë mënyrë asnjëherë nuk do të arrihet integrimi i komunitetit serb në shoqërinë e ashtuquajtur multi-etnike të Kosovës! Edhe ndërkombëtarët, kur serbët, herë pas here, konsiderohen ardhacakë, e vënë në dyshim thirrjet e sinqerta të bëhen për integrimin e tyre, edhe pse gëzojnë të drejta e privilegje, më shumë se çdo minoritet në rajon dhe më gjerë në Evropë”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë se Kurti, me shokë, më parë duhej të kushtëzonte PAN-istët, pra, PDK-AAK-NISMA, për të bërë reforma brenda partisë, kur dihet se këto subjekte politike kanë shumë eksponentë të krimit vrastar e hajnor, madje, disa syresh edhe në kupolë të tyre. Nëse këtë nuk mund ose nuk duan ta bëjnë, atëherë nuk duhet lejuar vazhdimi i jetës politike e publike të tyre, sepse mbrojtja e krimit, natyrshëm të bënë pjesë të krimit.

“Ekstremet dypalëshe janë të baraz të dëmshme, të papranueshme. Opozita e Bashkuar, duke përdorur refuzimin e koalicionit me LVV, me “armën” e bojkotit të organizuar. Dhe, LVV duke kërcënuar me zgjedhje të sërishme, ose të pritshme, deri në zgjedhjet presidenciale, në prillin e ardhshëm. Nëse ajo bënë bllokim të përkohshëm të jetës politike, nën ethet e rizgjedhjeve, të cilat nuk pritet të jenë zgjidhje afatgjatë e stabile. Edhe zgjedhja e Presidentit/es, janë të kushtueshme dhe me pazare, të cilat nuk prodhojnë vlerë të mirëfilltë. Ndërsa një koalicion i tanishëm, do të shmangte çfarëdo lloj zgjedhje aktuale apo të pranverës së ardhshme. Pra, një qeveri solide e pa arnime të dyshimta, që do ta zvetnonte qeverisjen e mirë dhe të cënueshme moralisht.

Populli i Kosovës dhe shqiptarët e kudondodhur, janë në pritje të krijimit të një qeverie të përgjegjshme politikisht dhe të përgaditur profesionalisht. Mbesim me urimin e madh, të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur. Të paktën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ende nuk ka hyrë në pazaret e Opozitës së Bashkuar, për krijimin e një qeverie nga humbësit. Dhe, nëse do ta bënte këtë, ndëshkimi i tij nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së, do të ishte i pritshëm. Pra, nisma e mbarë e Lumirit, për ngritjen e partisë, fituesja e parë në ish-zgjedhjet komunale, si dhe dyfishimi i elektoratit të saj në këto 4 vite, në rast të refuzimit të koalicionit aktual, me LVV, do ta humbiste shansin, për ta bërë LDK-në kryezonjë, sepse opozitarizmi i zgjatur, “hallakatë”, pasivizon dhe demoralizon anëtarësinë, elektoratin”, tha ai.

SIpas veprimtarit Zeqiraj, shtrimi i çështjes të koalicionit në Këshillin e Përgjithshëm, votimi i fshehtë, dhe kurrë aklamativ, do ta jipte zgjidhjen e duhur.

“Shansin e humbur, nuk e kompenson pendesa e vonuar. Andaj, koha është për vendim të mençur, të shëndetshëm për LDK-në e, mbi të gjitha, për Kosovën. Bërja pjesë e bojkotit, është sikur t`i hipish mizës”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *