OPINIONTË FUNDIT

“Vuçiq është shumë i frikësuar”, avokati serb zbërthen prapaskenat: Ja pse nuk ‘guxon’ të provojë diçka në Kosovë!

Situata në Kosovë ështe e qetë, ndonëse rreziku nga nxitja e tensioneve nga Serbia është ende prezent.

Madje, tani që po protestohet ashpër kundër regjimit të Aleksandar Vuçiq, janë ngritur dyshime se mund të shkaktojnë në veri tensione, për ta larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.

E në lidhje me këtë çështje në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli avokati serb, Cedomir Stojkoviq.

Fillimisht, ai u shpreh se Vuçiq më shumë ka gjasa të shkaktojë tensione në Bosnjë, se në Kosovë.

Sipas tij, presidenti serb është shumë i frikësuar për të provuar diçka në Kosovë, kjo pas humbjes në Banjskë dhe presionit të amerikanëve dhe evropianëve.

ImageAvokati serb, Cedomir Stojkoviq.Foto galeri
“Mendoj se është më realiste që ai të shkaktojë tensione në Bosnje dhe Hercegovinë përmes Dodikut, gjë që është pikërisht ajo që po bën tani. Në Kosovë, ai humbi pas Banjskës, dhe pas gjithçkaje që i thanë amerikanët dhe evropianët atëherë në takime personale – ai është shumë i frikësuar për të provuar diçka në Kosovë. Vuçiqin mund ta kontrollojë vetëm frika. Mirëpo, ne pamë se mentorët e tij politikë në vitet e 90-ta, dhe ai vetë, në momente të së njëjtës frikë, gjatë protestave po ashtu të mëdha në Serbi kundër pushtetit në vitet 1997-1998, kryen disa nga krimet më të mëdha në Kosovë në dy vitet në vijim. Pra, edhe pse mendoj se Bosnja dhe Hercegovina është prioritet për Vuçiqin për të shkaktuar trazira, planet e tij për Kosovën do të jenë sfidë dhe rrezik derisa rrota politike e Serbisë, e cila është duke u kthyer në të njëjtin drejtim që nga viti 1989, të prishet dhe të ndryshojë”, deklaroi ai.

Po ashtu, avokati foli edhe për kryekriminelin Radoiçiq dhe se si ende është i lirë.

Madje, ai tha se ky i fundit mund të jetë diku afër Vuçiqit.

“Aktakuza kundër Radoiçiq nuk do të thotë asgjë në vetvete. Klienti im aktualisht ndodhet në paraburgim sepse në rrjetet sociale ka shkruar “Serbia duhet t’i kthehet popullit”, ndërsa Radoiçiq, i cili është përgjegjës për vdekjen e disa personave në Banjska dhe për aktin terrorist, është ende i lirë. Kjo është gjithçka që duhet të dini për gjyqësorin nën regjimin e Aleksandër Vuçiqit. Avokatët mbrojtës i kanë të gjitha mekanizmat në botë për ta vonuar procesin kur Radoiçiq të jetë i lirë dhe kjo vonesë do të jetë shumë e lehtë sepse Vuçiq po e organizon. Nuk e di se ku është Radoiçiq, por duhet të jetë diku afër Vuçiqit, sepse bashkë me Veselinoviqin ka ndërtuar vila në lagjen e Beogradit Dedinje, vendi ku janë të gjitha rezidencat dhe vilat shtetërore”, përfundoi Cedomir Stojkoviq

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *