Rrëfimi aktivistes shqiptare kundër represionit serb: Patriotët shqiptarë në Sanxhak jetojnë me frikën e arrestimit çdo ditë
Amina Nuraj, aktiviste e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, ku ka folur për të drejtat e shqiptarëve dhe rrezikun e asimilimit të tyre në Sanxhak.
Gjatë kësaj interviste, Nuraj ka deklaruar se shqiptarët nuk gëzojnë të drejta njerëzore në Sanxhak, ashtu si në të gjithë Serbinë.
Po ashtu, ajo ka folur për planet e saj, kërkesat e shqiptarëve të Sanxhakut dhe për propagandën e Beogradit.
Nuraj ka reaguar gjithashtu ndaj deklaratës së Duda Bajles, e cila ka thënë: “Japim votën për secilin kryeministër që formon komunën e boshnjakëve.”
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Cili është pozicioni i shqiptarëve në Sanxhak?
Amina Nuraj: Si në Sanxhak dhe në mbarë Serbinë, shqiptarët nuk kanë të drejta njerëzore. Ne nuk kemi të drejtë për një jetë normale, sepse çdo patriot i vërtetë që punon për kombin dhe flamurin e tij pret të arrestohet në çdo moment.
“Bota sot”: Çfarë të drejta kërkojnë shqiptarët e Sanxhakut?
Amina Nuraj: Ne kërkojmë të drejtën për një jetë normale, një jetë në përputhje me njerëzimin, që të kemi të njëjtën të drejtë si çdo komb. Që të mos kemi frikë se nëse punojmë për kombin tonë, do të na përzënë nga vendi, do të na arrestojnë ose do të ndalemi me orë të tëra në kufi.
“Bota sot”: Në regjistrimin e popullsisë në Serbi, në Sanxhak doli një numër shumë i vogël i shqiptarëve. Çfarë mendoni, a është ky numër real?
Amina Nuraj: Jo, nuk është numri real, sepse Serbia është i vetmi shtet në botë që po zvogëlon numrin e pakicave kombëtare.
“Bota sot”: Ju deri tani jeni një ndër zërat më të fuqishëm për shqiptarët në Sanxhak. Si erdhi vendimi ose vullneti për të kontribuuar për kombin shqiptar?
Amina Nuraj: Forca dhe vullneti vjen nga dashuria e pastër për Atdheun, nga i cili më ndau shteti i Serbisë sa isha ende në barkun e nënës.
“Bota sot”: Si ka ndodhur asimilimi i shqiptarëve në Sanxhak?
Amina Nuraj: Asimilimi dhe sllavizimi i shqiptarëve në Ballkan shkon në shekuj, por këtu në Sanxhak ndodhi asimilimi dhe sllavizimi masiv kur çetnikët me uniforma partizane ekzekutuan dy heronjtë e Sanxhakut, Aqif Blyten dhe Ahmet Dacin.
“Bota sot”: Ka ndodhur që t’ju ndalin në kufirin me Kosovën. Pse mendoni se ndodhin këto ndalime nga ana e Serbisë? A kanë frikë nga ju, apo cilët mund të jenë qëllimet e tyre?
Amina Nuraj: Po të mos kishin frikë, as nuk do të më ndalonin. Unë jam frika e tyre që para 12 vitesh kur nisa të gjitha këto dhe vetëm tani që kam bërë histori ua kam shtuar frikën. Sepse nuk është e lehtë për një grua që ta kthejë shqiponjën shqiptare në vendin që i takon me flamur, gjuhë dhe kulturë. Ata menduan se do të ndaloja, por nuk e bëra sepse besoja në Zot, në veten time dhe në kombin tim.
“Bota sot”: Ju jeni nismëtare e shkollës shqipe në Sanxhak. Si ju erdhi ideja për ta krijuar këtë shkollë? Si po zhvillohet ajo dhe a janë shqiptarët të interesuar të mësojnë gjuhën shqipe?
Amina Nuraj: Unë si fëmijë nuk e kisha “luksin” të mësoja gjuhën amtare nëpër shkolla, por u betova se një ditë do t’u mundësoja fëmijëve të Sanxhakut të mësojnë gjuhën e tyre dhe se nuk do të duhej të mësonin përmes internetit si unë. E përmbusha betimin dhe sot jemi këtu ku jemi me zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar dhe gjuhën shqipe në zemër të Sanxhakut, në vendin e shqiponjave.
“Bota sot”: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Amina Nuraj: Kam shumë plane në jetë dhe shpresoj t’i realizoj ashtu si planet e mia të mëparshme.
“Bota sot”: Cilat janë kërkesat tuaja për shtetin shqiptar dhe shtetin e Kosovës?
Amina Nuraj: Kërkesat e mia janë që të na ndihmojnë sa më shumë në formimin dhe hapjen e një portali apo televizioni në Sanxhak në gjuhën shqipe. Kërkesat e mia janë që ata të investojnë sa më shumë para në rininë e Sanxhakut dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojnë ata të çlirohen nga terrorizmi që Serbia u bën çdo ditë
“Bota sot”: A duhet të flitet në dialogun Kosovë – Serbi për shqiptarët e Sanxhakut?
Amina Nuraj: Sigurisht që po! Duhet të flasim sa më shumë për terrorin që u bën Serbia shqiptarëve të Sanxhakut dhe frikën që u bën çdo ditë.
“Bota sot”: Cilat janë propagandat e pushtetit serb ndaj shqiptarëve?
Amina Nuraj: Për të filluar të flas për të, më duhen rreth 100 vjet dhe dhjetë hapat qetësues të mirë çdo ditë, sepse po kalojmë një zjarr të madh që Serbia na e shkakton çdo ditë.
“Bota sot”: Si e komentoni deklaratën e Duda Bajle, e cila ka vendosur kusht se: “Japim votën për secilin kryeministër që formon komunën e boshnjakëve”?
Amina Nuraj: Nuk ka komuna serbe në Kosovë, nuk ka komuna boshnjake në Kosovë. Harroje idenë tënde për ta marrë për vete pjesët nga toka e Kosovës! Dhe nëse nuk ju pëlqen, shkoni diku ku ka më mirë.
Republika e Kosovës nuk është një tortë, kështu që ju mund të merrni pjesë nga ajo si të doni ju. Kosova është tokë shqiptare! Luftoni për të drejtat e kombit tuaj ashtu siç duhet në territorin e Republikës së Kosovës, por jo sipas idesë serbe.