“Dialogu në duart e Brukselit”/ Avokati shqiptar flet për deklaratën e Serwer: Ja pse ka mundësi të jetë e vërtetë!
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se administrata aktuale e ShBA-së ka të ngjarë që t’ia lë Brukselit drejtimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse në çështjet e tjera SHBA-ja dhe BE-ja janë në trajektore të ndryshme.
Ai tha se me gjithë trajektoren që morën raportet ShBA-BE pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kur vije puna tek dialogu, sipas Serëerit, Uashingtoni duket se do t’ia lë Brukselit.
E në lidhje me këtë deklaratë dhe mundësinë që me dialogun Kosovë-Serbi të merret vetëm Brukseli, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar Spartak Ngjela.
Ai thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë, pasi Trump nuk do të bashkëpunojë me BE për çështjet e Evropës.
Sipas tij, pavarësisht gatishmërisë së ndërkombëtarëve për dialogun është Serbia ajo e cila nuk është për bashkëpunim, pasi është shtet primitiv.
“Ka mundësi të jetë e vërtetë. Trump kuptohet se nuk do të bashkëpunojë me BE për çështjet e Evropës.
Dialogu Kosovë – Serbi, në thelb, është një pamundësi, sepse Serbia është një shtet primitiv. Nuk ka parime dhe nuk e pranon çështjen e Kosovës.
Bashkimi Evripian ka brenda tij shtete që nuk e njohin Kosovën.
Të shohim çfarë do të thotë Brukseli”, u shpreh ai.
Më tej, avokati e thotë prerë që pavarësia e Kosovës është një fakt juridik dhe nuk mund ta shkel askush.
“Megjithatë, çështja e Kosovës është e sigurt tani. Pavarësia e saj është realisht një fakt juridik që nuk mund ta shkelë dot askush. Vullneti i pavarësisë së një populli është çështja kombëtare që i takon vetëm atij.
Kjo është e drejta ndërkombëtare, dhe shqiptarët janë të sigurt në të dy shtetet e tyre të pavarura.
Të tjerat janë fjalë të kota të Beogradit”, përfundoi avokati Ngjela për “Bota sot”.
Kujtojmë që gjatë presidencës së tij të parë 2017-2021, Donald Trump e trajtoi çështjen e Kosovës kryesisht përmes një qasjeje të orientuar drejt marrëveshjeve ekonomike, edhe pse atë kohë diskutimet bëheshin edhe për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë presidencës së parë ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi.
Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik.