OPINIONPOLITIKATË FUNDIT

Aleanca ushtarake/ Strategjitë e Serbisë për të krijuar mjegull ndërkombëtare

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia i bashkuan “forcat”, duke e nënshkruar një Deklaratë trepalëshe për aleancë ushtarake. Kjo gjë nuk u mirëprit nga Serbia. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi nga Brukseli se “NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor të mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, deklaroi Vuçiç.

Në një bashkëbisedim për “Bota Sot”, analisti politik, Leon Duhanaj, e ka quajtur presidentin serb mjeshtër të aktrimit.

“Reagimet e Beogradit zyrtar, nuk janë gjë tjetër por vazhdim i politikave tradicionale. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, është mjeshtër i dëshmuar i aktrimit. Ai për çdo gjë, madje edhe kur është në ofenzivë kundrejt fqinjëve, del me deklarata, thuajse ka filluar ndonjë invazion ushtarak ndaj tyre. Për sa i përket bashkëpunimit në fjalë, nuk besoj që ka as edhe ndonjë shkëndijë për të cilën do të kishte ndonjë argument për t’u deklaruar në këtë mënyrë. Kroacia dhe Shqipëria, si dy vende anëtare të NATO-s, janë gjithashtu në një aleancë ushtarake. Kosova gjithashtu është pjesë e nismave të përbashkëta në kuadër të partneritetit me NATO-n”, ka thënë ai.

Duhanaj ka treguar se pse i bën Serbia këto reagime, duke shtuar se dalin me këto deklarata për të “krijuar mjegull në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare”.

“Për mendimin tim, arsyet pse Serbia bën reagime të tilla janë sepse ajo vetë është e preokupuar të bëjë strategji destabilizuese në Ballkan dhe kundrejt fqinjëve të saj.

Në moton “sulmi është mbrojtja më e mirë”, pse t’i akuzojmë të tjerët për atë që bëjmë ne vetë?

Dalin me deklarata të tilla për të krijuar mjegull në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, deklarata e Serbisë nuk duhet të merren seriozisht, dhe fokusi duhet të jetë në forcimin e aleancave ndërkombëtare.

“Nuk duhet harruar faktin se Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me shumë vende, sidomos me disa shtete aziatike, që nga koha e ish-Jugosllavisë. Shtetet e tilla as që bëjnë përpjekje për ta kuptuar të vërtetën në Ballkan, por janë aleatë të natyrshëm të Serbisë në çdo rrethanë (shembulli tipik, Palestina). Prandaj, nuk janë deklarata që duhet të merren seriozisht. Shumë më tepër, fokusi ynë duhet të jetë në forcimin e aleancave ndërkombëtare, sepse shumë lehtë mund të përballemi me ndonjë realitet ku pa to do ta kemi vështirë të mbrojmë interesat kombëtare”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *