Kreu i FMN-së në Kosovë, Amaglobeli: Rritja ekonomike në Kosovë 4.1 për qind, më e larta në Evropë
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë mbajtur konferencë për media në përmbyllje të Programit të Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) për Kosovë në shumë prej 100 milionë eurosh si dhe aranzhmanin Resilience and Sustainability Facility në shumë prej rreth 80 milionë eurosh.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se Kosova është shteti i parë në Evropë që ka përfituar nga ky program, duke e lidhur atë me përmirësimin e politikave për energjinë e ripërtëritshme dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik.
“Programi ka për synim qe të mbështet shtetet që performojnë mirë dhe Kosova është bërë shteti i parë në Evropë që ka fituar këtë program. Ka të bëjë me ligjin për energjinë e ripërtëritshme, me programin është synuar ruajtja, stabiliteti dhe përshpejtimi i ruajtjes dhe rritjes së ekonomisë së qëndrueshme. Kosovës i mbeten 16 milionë nga programi. Gjatë kësaj periudhe dyvjeçare kemi kemi shënuar rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Për herë të parë kemi kaluar 10 miliardë euro në bruto produktin vendor. Kemi shënuar edhe rritje të punësimit, gjë që ka ndikuar në rritjen e pagës minimale, pensionet, shtesat e fëmijëve. Të gjitha janë bërë duke ruajtur qëndrueshmërinë fiksale”, ka thënë ministri Murati.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se BQK-ja është e përkushtuar dhe se është vlerësuar pozitivisht nga FMN-ja.
“Kjo arritje reflekton angazhimin e përbashkët për qëndrueshmërinë ekonomike. Vlerësimi pozitiv i FMN-së dhe jemi krenarë për progresin që kemi arritur. Angazhimi ynë për avancimin tonë bankar ka vazhduar me reforma të tjera të BQK-së. Procesi do të varet nga ligjet kushtetuese, projekti për pagesa të shpejta do te mundësojë që të përparojë infrastruktura. Në aspektin e financave, heqja e tarifave për të mundësuar mbështetjen e projekteve të mëdha, kemi miratuar udhëzuesin që bën zgjerimin e bankave. Bankat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, të gjitha objektivat janë përfunduar me sukses”, ka theksuar guvernatori i BQK-së Ismaili.
Kreu i Misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli, vlerësoi progresin e konsiderueshëm të arritur gjatë programit, duke theksuar rritjen e fortë ekonomike prej 4.1 për qind, më e larta në Evropë.
Ai përmendi gjithashtu rritjen e punësimit dhe pagave, përmirësimin e transparencës dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Më vjen mirë që është arritur një progres i konsiderueshëm dhe është kryer me sukses programi. Gjatë programit kemi parë rritje të fortë ekonomike në 4.1 për qind, që është më e larta në Evropë. Kemi parë një ngritje të konsiderueshme të punësimit dhe të pagave. Kemi parë përmirësime të ndjeshme. Reformat e zbatuara për të rritur transparencën janë përmirësuar. Në sektorin financiar progresi ka qenë i konsiderueshëm, janë përmirësuar kapacitetet institucionale të BQK-së. Kosova është vendi i parë që ka zbatuar instrumentin RSF, falë masave. Autoritetet kanë arritur të lansojnë projekte të mëdha që do të rrisin ndjeshëm. Jemi të gatshëm për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për të ndritur të ardhmen”, ka thënë Amaglobeli. /EO