TË FUNDIT

Hyseni thotë se askush s`ka pasur qasje të paautorizuar në zyrën e buxhetit

Pas dorëheqjes së drejtoreshës për Buxhet dhe Financa Herolinda Murat Leka, është deklaruar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni.

Ai theksoi se siç është bërë tashmë e ditur, ka pranuar të hënën dorëheqjen e drejtoreshës për Financa dhe Buxhet.
“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura dhe i kam ndjekur me vëmendje të gjitha akuzat e bëra publike. Meqenëse organet e rendit janë të njoftuara dhe po trajtojnë këtë çështje, presim që e vërteta të përcaktohet përmes proceseve ligjore dhe vendimeve përkatëse”, tha Hyseni.

I pari i komunës tha se beson te faktet dhe te e vërteta të cilën e kanë parasysh të gjitha palët, pavarësisht se si e proklamojnë.

“Si kryetar i komunës, siguroj qytetarët se institucioni ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm. Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme, e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes”, tha Alban Hyseni.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, thekson se përgjatë javëve të fundit, fokusi i tij kryesor ka qenë siguria e një menaxhimi të drejtë dhe të përgjegjshëm të buxhetit komunal, i cili tashmë është votuar dhe do të shërbejë për të përmbushur nevojat dhe prioritetet e qytetarëve tanë.

“Komuna e Gjilanit, mbetet e përkushtuar për të vepruar me integritet, duke garantuar llogaridhënie dhe qeverisje të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Hyseni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *