TË FUNDIT

Kryeministri Kurti i kërkon Gjykatës ta obligojë Prokurorinë Speciale që dëshminë t’ia marrë në zyrë

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ta obligojë Prokurorinë Speciale, që dëshminë e tij për rastin për rezerva shtetërore t’ia marrë në Zyrën e Kryeministrit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se Zyra e Kryeministrit, të premten i është drejtuar Gjykatës Themelore “në lidhje me njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga kryeministri”.

Kryeziu ka bashkëngjitur edhe letrën e plotë që i është drejtuar Gjykatës.

Aty thuhet se Kurti kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. Kjo gjë është bërë e qartë përmes letrave të cilat Zyra e Kryeministrit ia ka dërguar Prokurorisë si përgjigje mbi ftesën e tyre për paraqitje. Për më tepër, Zyra e Kryeministrit ka dhënë më shumë se dy alternativa mbi datat dhe kohën e intervistimit, ashtu që të tregojë gatishmërinë e tij për t’u përgjigjur në çdo pyetje që cilido prokuror apo zyrtar përgjegjës mund të kërkojë lidhur me çfarëdo çështje mbi të cilën kryeministri ka dijeni e është e ndërlidhur me punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Tutje thuhet se Kurti ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Në letër thuhet se kërkesa që intervistomi të bëhet në zyrë, është bërë duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që Kurti mban, siç thuhet, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë.

Në letër thuhet se Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit dhe nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar.

“Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë. Po të kishte vullnet për ta intervistuar Kryeministrin, intervista e tillë do të ishte kryer muaj më parë, me një prej datave të propozuara nga vetë Zyra e Kryeministrit”, thuhet në letër.

Tutje thuhet se ky qëndrim nuk është as një shmangie nga procesi dhe as një tentim për të kërkuar një trajtim të veçantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *