Me këto parti e këtë retorikë, VV do të…”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje flet rreth koalicioneve
Tri ditë kanë mbetur deri në ditën ku do të përcaktohet kush do të udhëheq me vendin për katër vitet e ardhshme.
Në Kosovë pritet dita vendimtare, por nga diaspora tashmë kanë arritur votat e para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar se gjatë mbrëmjes së të martës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë 36,500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.
Elezi ka thënë se sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.
“Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, ka thënë ai.
Sipas tij, aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlenë vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Elezi ka thënë se kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.
Diaspora jo pak herë ka luajtur rol të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve, por Lëvizja Vetëvendosje tashmë është e bindur në fitore mbi 50 për qind.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i kësaj partie dhe kandidat për një mandat tjetër, Agon Batusha, është pyetur rreth rezultatit të mundshëm dhe me cilën parti do të bënin koalicion në rast të mos fitores absolute.
Batusha shprehet se çfarëdo lloj diskutimi për koalicione është i kotë.
“Qytetarët vendosin të dielën për 4 vitet e ardhshme. Por, jam i bindur që rezultati do të jetë mbi 50%. Andaj, cfarëdo lloj diskutimi për koalicione është i kotë, sidomos me këto parti e këtë retorikë që kanë”, deklaroi Batusha.
Theksojmë se Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatët e saj vazhdimisht shprehin bindjen e tyre në fitoren absolute.
Ditë më parë një deklaratë të tillë ka bërë edhe kandidati për deputet, Nezir Kraki.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë nevojë për koalicione.
“Koalicion nuk ka nevojë me pasë, por bashkëpunim duhet të ketë”, ka thënë Kraki.
Sipas Krakit, me qeverisjen Kurti është përmirësuar gjendja në të gjitha sektorët.
“Ka ndodhur shumë gjëra në këto katër vite që janë shumë pozitive”, ka thënë Kraki.
Ndryshe, nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë tjera nuk përjashtojnë koalicione, por me kusht që kandidati i tyre të jetë kryeministër i ardhshëm.