Shëndetësia me LVV më afër qytetarit: spitale rajonale, poliklinika e shërbime të reja shëndetësore
Siguria e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, janë aspektet primare në të cilat kemi investuar dhe do të vazhdojmë të investojmë. Qytetarët e vendit tonë, meritojnë lehtësime në shërbime, kushte më të mira e cilësore dhe ulje të kostos financiare të shërbimeve shëndetësore.
Me Projektligjin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, i cili ka kaluar në Kuvend më 28 gusht 2024, themelohet lista e barnave të rimbursueshme. Me të fillon për herë të parë mbështetja për qytetarët për shpenzimet lidhur me barnat jashtëspitalore, përmes Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
Për listën esenciale të barnave do të sigurojmë shtim të buxhetit deri në 100 milionë euro. Kësaj mase në mandatin e ri, i paraprinë unifikimi i çmimit të barnave në gjithë territorin e vendit, me çmime të përballueshme për secilin.
Në mandatin e ri do të decentralizojmë në tërësi shërbimet shëndetësore. Për këtë do të investojmë në çdo spital rajonal, në pajisje, shërbime të reja dhe infrastrukturë. Do të ndërtojmë spitale të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj. Do të hapim Poliklinikat specialistike në Drenas, Sharr, Podujevë, Viti, Rahovec dhe Leposaviq. Do të hapim Poliklinikat specialistike stomatologjike në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Podujevë. Si dhe do të ndërtojmë rrjetin e laboratorëve publik që mbulojnë të gjithë llojet e analizave me kosto të përballueshme.
Me masat që kemi marrë në funksion të shëndetit e mirëqenies sociale, e ardhmja me Vetëvendosjen në qeverisje, mundëson stabilitet financiar dhe shëndetësi për të gjithë, pavarësisht mundësive dhe statusit ekonomik e social.