TË FUNDIT

Opozita të mos e dojë Albin Kurtin, por Kosovën e ka detyrë ta mbrojë!

Policia e Kosovës mbylli të premten institucionet paralele të Beogradit në dhjetë komuna të vendit. Ishte një aksion për mbylljen e godinave dhe kthimin e tyre te autoriteti shtetëror. Pavarësisht kësaj njerëzit e Serbisë në Kosovë do të vazhdojnë të paguhen nga qeveria serbe. Kështu njoftoi kryetari i Listës Srbska mbas mbylljes së zyrave të këtyre institucioneve. Që do të thotë se ato nuk ishin institucione të shtetit serb, por qendra të propagandës pro Listës Srbska për manipulimin e serbëve të Kosovës. Njerëzit e kësaj partie politike do të vazhdojnë të paguhen sërishmi, me qëllim që të jenë aktiv në fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit në favor të partisë së kriminelit dhe kryeterroristit Radoiçiq. Pra që serbët të mos votojnë tri parti të tjera të të njëjtit komunitet për zgjedhjet e përgjithshme.

Këtë fakt e dinë diplomatët e perëndimit në Kosovë. Ata kanë të gjitha informacionet e nevojshme që strukturat paralele në Kosovë veprojnë me qëllim që të terrorizojnë popullsinë serbe, që ata të votojnë terroristët e Listës Srpska, të cilët edhe zyrtarisht nuk e njohin shtetin e Kosovës. Megjithatë këta diplomatë dhe ambasadorët si përfaqësuesit kryesorë të shteteve të Perëndimit thanë se janë të pezmatuar për ndërhyrjen e policisë për mbylljen e zyrave të shtetit serb në territorin e shtetit të Kosovës. Foli edhe shefja e UNMIK-ut dhe tha se ky ishte veprim i njanshëm. Ambasadori gjerman e theksoi idenë se strukturat paralele nuk duhet të jenë në Kosovë, por shtoi se veprimet e policisë nuk ishin në koordinim me ndërkombëtarët dhe palën serbe. Deri këtu nuk besoj se ka ndonjë surprizë. Sa herë qeveria e Kosovës ka ndërhyrë për të vendosur sovranitetin në Kosovë, thuajse të gjithë ambasadorët e Perëndimit kanë reaguar deri me vënien e masave kundër Kosovës nga BE. Pra, jemi mësuar me këtë fakt, ndërkohë që historia përsëritet vazhdimisht. Albin Kurti vepron, ambasadorët kritikojnë, opozita duartroket, Lista Srbska bërtet, Aleksandër Vuçiq kërcënon, KFOR-i thotë se monitoron.

Të gjithë janë në rol. Por është për çudi roli i opozitarëve në Kosovë. Njëri prej opozitarëve i thotë kryeministrit “vegël e Serbisë”, madje “spiun i Serbisë” dhe ia hedh sytë Edi Ramës, nëse ky i fundit ishte i kënaqur ose jo me etiketën e krye-opozitarit të AAK-së. Dikush tjetër nga LDK paska thënë se “Albin Kurti është si Hitleri”! Hajdutët e PDK-së në çdo rast thërrasin e thonë se “Kurti është hajdut”! Si në atë fabulën, t’ia them sa s’ më ka thënë”! Në vend të gjejnë gabimet dhe difektet e punës së qeverisë dhe të kryeministrit, opozitarët e Kosovës ja mësyjnë njëherë nga ambasadat e prej këtu dalin në Leposaviç e me mendje shkojnë në Beograd. Kur e krahason kryeministrin e vendit tënd me Hitlerin, nuk bën më pak sesa atë që bëri Vladimir Putin në Ukrainë. Me të tilla akuza për Zelenskin presidenti rus nisi agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Dhe të tilla akuza lëshon çdo ditë kundër Kurtit gjithashtu presidenti i Serbisë, Vuçiq, ministri i Jashtëm, Gjuriq, i ashtuquajturi drejtor për “Kosovo-Metohi”, Petkoviq etj.

Kritikojeni Albin Kurtin! Madje fort. Por jo për përpjekjet e tij për vendosjen e sovranitetit në vend. Jo pse ai kryen me devotshmëri kushtetuese e ligjore detyrën e kryeministrit për të administruar të gjithë territorin. Jo se ai largoi targat serbe, largoi strukturat paralele serbe, mbylli biznesin e kriminelëve dhe të shtetit kriminal të Serbisë në Kosovë. Jo se ai e detyroi Serbinë të njohë dokumentet shtetërore të Kosovës përmes reciprocitetit. Jo se eleminoi bandën terroriste të Radoiçiqit dhe e shndërroi vilën e tij në aset të policisë së Kosovës. Nuk bën që ti opozitari i shqiptarisë në Kosovë të thuash se “Ti Albin nuk ke sovranitet në veri, ke vetëm polici”! Nuk bën të thuash se “Atë që bëri Milosheviçi me shqiptarët në vitet 1990, po e bën Albin Kurti me serbët në Kosovë ose në veri”! Se nuk është e vërtetë. Se nuk është ky realiteti. Ky është vetëm realiteti virtual i presidentit të Serbisë, që artikulohet besaj nga budallakia e disa opozitarëve dhe analistëve në Kosovë.

Nuk i kërkon askush opozitës ta dojë Albin Kurtin. Por ata e kanë detyrë të pa tjetërsuar ta duan Kosovën. Kjo do të thotë që jo vetëm nuk duhet t’i bashkohen akuzave të Beogradit për qeverinë dhe politikanët e Kosovës. Nuk duhet t’i bashkohen as ambasadorëve, që kundërshtojnë vendosjen e sovranitetit të shtetit në të gjithë territorin e Kosovës. Nëse flasin e kritikojnë këta ambasadorë, ata duhen lënë në detyrën e tyre. Por jo me servilizëm disa opozitarë t’i hakërrehen kryeministzrit të vendit se “Ti po na prish me aleatët”! Çfarë t’u bëjë Albini aleatëve, që mbrojnë Serbinë në Kosovë?!

Mos luani more mendsh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *