Pacolli tha se kompania e tij e fitoi arbitrazhin, Haxhiu: Grandi mbetet në pronësi të Kosovës, Pacollit do t’i kthehen paratë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ekziston asnjë dëshmi që ia mundëson Behgjet Pacollit pronësinë mbi Hotelin Grand në Prishtinë. Reagimi i saj vjen pasi Pacolli tha se Kompania e tij ka fituar drejtësisht arbitrazhin ndërkombëtar për Grandin.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojnë askujt.
“Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Telegrafi.
Ajo ka thënë se “E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë”.
“Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”, ka shkruar Haxhiu.
Reagimi i ministres Haxhiu vjen pasi Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kompania e tij “‘Mabco Construction Int’ ka fituar drejtësisht arbitrazhin ndërkombëtar i organizuar nga dhoma e posaqme e Bankës botërore në Washington për rastin e Grandit, ndaj Shtetit të Kosovës”.
Ai. pasi ka treguar kushtet dhe obligimet që duhet të kryej shteti ndaj kompanisë së tij, ka thënë se “Në fund, drejtësia triumfoi e Berisha per shkak të lakmive të tij sot mundet me e pa Hotelin Grand vetem nga distanca. Po të kishte qenë korrekt Zylqif Berisha , sot Hoteli Grand do të ishte një perl e ai do të ishte pronar, si në marvrshje i 40%”, ka shkruar Pacolli.