SPAK zbulon se Samir Mane korruptoi çiftin Meta – Kryemadhi me një vilë. I bleu edhe vilën tjetër në Qerret për 300 mijë euro që ia rishiti Baton Haxhiut 80 mijë euro
Ish-Presidenti Ilir Meta u arrestua të hënën në mesditë nga policia me urdhër të SPAK. Pas një hetimi disa-vjeçar ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-Presidentin për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, nga një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi të biznesmenit Samir Mane, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar.
“Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills,” shkruhet në masën e sigurisë të SPAK, një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien,” thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.”
Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes. Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në vendim, rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që biznesmeni ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut – në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror.
Përveç vilës në Rolling Hills, Mane ka blerë një banesë në Qerret për 300 mijë euro në ‘cash’ nga Meta dhe Kryemadhi, një shumë që sipas SPAK nuk është deklaruar nga ish-presidenti në deklaratat periodike të interesave private në Inspektoratin e Kontrollit të Pasurisë (ILDKPKI). Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Ilir Meta e ka krahasuar arrestimin e tij nga Policia e Shtetit me një pengmarrje. “Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat,” shkroi ai. “Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj në pafajësinë time të plotë,” shtoi Meta.
Edhe Monika Kryemadhi i ka hedhur poshtë akuzat e SPAK nëpërmjet një konference për shtyp të martën në mesditë. Për vilën në Rolling Hills, ajo ka deklaruar se Ilir Meta nuk ka pasur dijeni.
“Kam dashur të merrja një vilë pa dijeninë e Metës,” tha ajo. “E kam parë, e kam menduar, pa dijeninë e Metës,” shtoi Kryemadhi, duke shpjeguar se vilën do ta paguante duke shitur një shtëpi në zonën e ish-Bllokut.
Përmes një zëdhënësi, biznesmeni Samir Mane tha se nuk mund të komentonte mbi pretendimet në masën e sigurisë të Ilir Metës dhe Kryemadhit, derisa ndaj tij nuk ishte ngritur akuzë penale. “Nuk ka akuzë ndaj meje,” tha Mane. “Unë nuk mund të komentoj për akuza ndaj të tjerëve, sidomos kur nuk ka akoma një vendim gjykate të formës së prerë,” shtoi ai.
SPAK nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi pozitën e biznesmenit Mane në këtë hetim.
Marrëdhënie ‘korrupsioni’
Samir Mane është një nga biznesmenët më të njohur dhe të suksesshëm në Shqipëri, i njohur për investimet e tij në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ai është themelues dhe drejtues i grupit “Balfin”, një nga grupet më të mëdha të investimeve në rajon. Aktivitetet e tij përfshijnë ndërtimin e qendrave tregtare si TEG dhe QTU, zhvillimin e pasurive të patundshme me projekte si Rolling Hills, Green Coast dhe Vala Mar, investime në industrinë e minierave, teknologji dhe tregti pajisjesh elektroshtëpiake. Grupi “Balfin” ka gjithashtu investime në disa vende të tjera të Ballkanit, duke e bërë Manen biznesmenin më të pasur në Shqipëri.
Sipas SPAK, marrëdhënia e Manes me çiftin Meta dhe Kryemadhi shkon të paktën dy dekada pas. Në vitin 2007, Mane bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
Në nëntor 2023, SPAK kreu kontrollin e banesës së nënës së Monika Kryemadhit dhe sekuestroi disa telefona celularë si prova materiale. Nga ekspertiza kompjuterike e një telefoni të përdorur nga Monika Kryemadhi në periudhën 2013-2014, SPAK evidentoi biseda të kryera mes Kryemadhit dhe personave të ndryshëm, përfshirë Samir Mane dhe Eva Mane, që ngritën dyshime për marrëdhënie korrupsioni mes tyre.
“Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes rezulton se Monika ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës, për të zgjidhur probleme të ndryshme që Samir Mane ka pasur në lidhje me biznesin e tij,” shkruan SPAK.
Monika Kryemadhi ka pasur një seri komunikimesh me kreun e AKEP, Piro Xhixho, për dokumentet që duhej të përgatisnin Samir Mane dhe pronarja e Top Channel, Vjollca Hoxha, për të krijuar një kompani dhe për të lidhur një marrëveshje me Vodafone për trafikun e thirrjeve telefonike. Piro Xhixho gjithashtu e informonte Monikën për takimet dhe zhvillimet që kishin ndodhur lidhur me kompaninë Plus, aksioner i së cilës ishte Samir Mane.
LEXO Vengu e pranon: Hidrovori në Vlorë u bë shkak për përmbytjet, do dëmshpërblehen banesat e bizneset
Komunikimet vazhdojnë për çështje që kanë të bëjnë me licencat dhe marrëveshjet me kompanitë telefonike në Shqipëri, ku Piro Xhixho informon Kryemadhin për takime me përfaqësues të kompanive dhe ministrave të ndryshëm, duke e mbajtur të përditësuar për problemet dhe zhvillimet e sektorit të telekomunikacionit.
Sipas SPAK, del qartë se Samir Mane dhe përfaqësues të kompanisë Plus kërkonin ndihmën e Kryemadhit për të zgjidhur problemet me AKEP-in dhe operatorët e tjerë të tregut.
Xhixho përmend gjithashtu ndërmjetësimin e Ilir Metës, të cilin e referon si “Shefi”, për të zgjidhur çështjet e kompanisë Plus dhe për të mbajtur një balancë mes interesave të operatorëve kryesorë si Vodafone dhe AMC.
Kryemadhi ka ndërhyrë gjithashtu në emër të Manes tek ish-kryetari i Zyrës së Përmbarimit Tiranë për një procedurë të lidhur me kompaninë Albchrome, në atë kohë në pronësi të Manes.
Lobimi për ndryshimin e ligjit të minierave
Në vitin 2014, Ilir Meta mbante postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa Monika Kryemadhi ishte deputete e LSI-së. Sipas dosjes së SPAK, më 6 tetor 2014, Samir Mane i kërkoi Monika Kryemadhit një takim urgjent në restorantin ‘Berlini’ në Tiranë. Tema e bisedës ishte projektligji “Për sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë.” Në vitin 2013, Samir Mane kishte blerë kompaninë Albchrome, koncesionarin e minierës më të madhe të kromit në Bulqizë.
Nga shqyrtimi i bisedave midis Monika Kryemadhit, Samir Manes dhe ish-deputetit të LSI-së Përparim Spahiu, SPAK ka konkluduar se ata kanë diskutuar amendimin e ligjit në favor të Albchrome. Sipas SPAK, ish-drejtori i Albchrome, Saimir Boka, deklaroi se kompania kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për servitutin e galerive dhe puseve vertikale, për të shmangur përgjegjësitë teknike nga kalimet e subjekteve të tjera në galeritë e Albchrome.
Mane ka dëshmuar në SPAK se nuk ka pasur marrëdhënie biznesi me Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën dhe nuk u ka kërkuar atyre ndihmë. Lidhur me ndryshimet e ligjit për minierat, për të cilat Mane ka shkëmbyer mesazhe me Kryemadhin, ai tha se ishin pjesë e rolit të tij si anëtar i shoqatës së minierave. Sipas dokumenteve të SPAK, ligji u amendua bazuar në propozimet e ish-deputetes së PS-së, Esmeralda Shkjau, për nenet 19 dhe 27 të projektligjit.
Vila në Rolling Hills: ‘Duhet dhe hamam e sauna’
Si pasojë e ndërhyrjeve në favor të interesave të Samir Mane, për miratimin e ndryshimeve ligjore dhe administrative, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asete të patundshme, udhëtime jashtë shtetit dhe bileta koncerti.
“Shtetasja Monika Kryemadhi ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Samir Manen dhe bashkëshorten e tij Eva Mane,” shkruan SPAK. “Marrëdhënia e tyre përfshinte udhëtime në koncertin e këngëtares Beyoncédhe argëtim në Disney në Paris, dreka në Angli, takime për kafe në Tiranë dhe vizita në shtëpinë e çiftit Mane në Rolling Hills, si dhe përfitimin e një vile nga Meta dhe Kryemadhi në kompleksin Rolling Hills,” shton organi i akuzës.
LEXO Shpërdorim detyre”/ SPAK çon për gjykim ish-kryebashkiakun e Pogradecit Eduart Kapri
Fillimisht, Kryemadhi kishte diskutuar me Manen për të parë apartamente në katin e 17-të të pallatit Ambasador 3, por pasi vizitoi apartamentet dhe u konsultua me Eva Manen, vendosi të marrë një vilë në Rolling Hills.
Në 3 qershor 2014, Monika i shkroi Ilir Metës: “Eva Mane thotë jo tek pallati. Ka shumë njerëz dhe do ta bezdisin Ilirin,” duke shtuar se po shikonte diçka tjetër në Rolling Hills. Meta i është përgjigjur: “Ok. Duhet dhe hamam e sauna.”
Pas kësaj, Kryemadhi filloi të përhapte fjalën se do të lëvizte me qira tek vilat e Rolling Hills dhe angazhoi disa persona, përfshirë një arkitekt italian, për të kryer punimet.
SPAK pretendon se Meta dhe Kryemadhi, në këmbim të ndikimit të tyre të paligjshëm në institucionet publike për favorizimin e biznesmenit Samir Mane, pranuan premtimin për të përfituar një vilë në Rolling Hills, identifikuar si vila nr. 103. Kjo vilë dhe punimet e kryera në të gjatë vitit 2014 nuk u deklaruan nga Kryemadhi si pasuri, çka sugjeron sipas SPAK se kjo pasuri do të përfitohej si rezultat i veprimtarive korruptive të Kryemadhit dhe Metës.
SPAK thekson se veprimtaria e paligjshme e Kryemadhit dhe Metës përfshin miratimin e amendimeve në ligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë,” ndërhyrjen në favor të Samir Mane në Zyrën e Përmbarimit dhe te kryetari i AKEP, Piro Xhixho, për të favorizuar kompaninë Plus Communications.
Meta dhe Kryemadhi hoqën dorë nga vila në Rolling Hills pasi mësuan se persona të tjerë, përfshirë ish-Ambasadori Grek në Tiranë, e kishin marrë vesh marrëveshjen. Vila më pas iu shit një blerësi tjetër.
“Ndaloni çdo punim tek Eva, ta them unë pse,” i shkruan Kryemadhi mikeshës së saj Ema Çoku, e cila po merrej me punimet, duke shtuar: “Jam me Ilirin. I kishte thënë ambasadori grek që do jemi komshi, prandaj ndaloni komplet, më tha asgjë mos bëni.”
Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi kanë kryer në bashkëpunim elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve,” sipas nenit 260 të Kodit Penal. “Fakti që ata hoqën dorë nga përfitimi sepse marrëveshja u bë publike, nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale, pasi vepra e korrupsionit konsumohet që në fazën e premtimit apo pranimit të premtimit,” përfundoi SPAK. /Reporter.al