Ministria e Mbrojtjes: FSK nuk shënjestron qytetarë që duan të bashkohen për pagë, por për shërbim ndaj atdheut.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se shënjestron qytetarët që duan t’i bashkohen FSK-së për pagë, por për ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7.
“Ushtria është shërbim ndaj vendit, do të thotë besnikëri, sakrificë, vetëmohim, prandaj dhe duhet bërë një dallim ndërmjet një vendi të zakonshëm pune dhe gatishmërisë për t’i shërbyer atdheut. FSK, nuk shënjestron qytetarë që duan t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës për pagë, por ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7” – thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas tyre, përgjatë dy viteve 251 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dorëhequr nga FSK-ja, teksa gjatë këtij viti rreth 2.6%.
Poashtu është thënë se largimet e ushtarëve asnjëherë nuk mund të ndalen në zero dhe sipas ministrisë me këtë dukuri ballafaqohen edhe vende anëtare të NATO-s.
“Daljet asnjëherë nuk mund të reduktohen në zero, mirëpo është e rëndësishme që rritja e ushtrisë jo vetëm në numër, por dhe ngritja e kapaciteve profesionale dhe operacionale të FSK-së të mos ndërpritet, andaj dhe në fokus ka qenë dhe vazhdon të jetë investimi në armatime. Nga 4 milionë sa ishte investuar në trevjeçarin 2018-2020, është investuar mbi 239 milionë euro përgjatë periudhës 2021-2023. Është prioritet i qeverisë që fuqizimi i ushtrisë të ndiqet pastaj dhe nga përmirësimi i mirëqenies së ushtarakëve.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Tëvë1.