(VIDEO) Taravari: Kam folur me Ramadanin sa ishte në burg, një prokuror nga Kërçova e komplikoi lirimin e tij
Si arrestimi dhe shqiptimi i masës së paraburgimit, njejtë edhe informacioni për arratisjen e ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadanit, u përcoll me shumë reagime, kritika dhe akuza. Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se kjo që po ndodh në sistemine drejtësisë aktualisht është edhe një arsye më shumë për nevojën e reformave në gjyqësi dhe prokurori.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Kjo që po ndodh në sistemin tonë të drejtësisë është edhe një një hap drejtë asaj që unë gjithë kohës apeloj dhe flas, 2% e besueshmërisë së qytetarëve rezultojnë në dilemma të këtilla, pse ndodh kjo, pse ai arratiset, pse ai nuk arratiset. Pra kjo është një arsye më shumë që ne përfundimisht të fillojmë të merremi me reformat në sistemin e gjyqësisë dhe prokurorisë”.
Kurse, Arben Taravari nga VLEN pranon se ka biseduar me Ramadanin, i cili ishte në paraburgim shtëpiak, mirëpo tha se nuk ka informacione për arratisjen e tij.
Arben Taravari, VLEN
“Jam dëgjuar me Blerim Ramadanin, kam biseduar, e di se Blerim Ramadani është dashur prej ditës së parë të lirohet, por fatkeqësisht një prokuror prej Kërçove nuk e la atë mundësi që atë ditë të lirohet dhe e komplikoi situatën, më tutje çfarë ka ndodhur, nuk kam dijeni, besoj që institucionet përkatëse do të japin informata”.
LSDM hodhi sërë akuzash ndaj ministrit të Brendshëm, duke e quajtur të paaftë dhe zhgënjim të madh nga pushteti, për rastin e arratisjes së Ramadanit.
LSDM
“Ikja e mbrëmshme e Blerim Ramadanit, njeri i kërkuar me fletëarrest ndërkombëtar është edhe një ngjarje nga seria e ngjarjeve që vërtetojnë se MPB në krye me Toshkovskin, nuk ka kontrollë të shtetit. Pyesim se si është e mundur që të lejohet arratisja e një të burgosuri, të kërkuar me fletëarrest ndërkombëtarë? A e lejoi arratisjen apo është skajshmërisht i paaftë të ruaj një person që kërkohet ndërkombtarisht. Toshkovski është gjithashtu përgjegjës”.
Ndërkaq, ministri Pançe Toshkovski ju përgjigj se LSDM në vend që të jap kritika konstruktive, zgjedh të akuzoj.
Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm
“Pyetja e vërtetë duhet të jetë përse gjykata vendosi ta lëshoj në arrest shtëpiak, në vend të paraburgimit efektiv. Njoh jurist profesionist edhe të LSDM-së që e kuptojnë ndarjen e pushtetit dhe e dinë se MPB dhe gjykata janë institucione të ndryshme, por është për të ardhur keq që kryesia e LSDM-së dhe sektori i tyre për marrëdhënie me publikun i injorojnë këto fakte dhe akuzojnë për të fitojnë pikë të vogla politike”.
Ndërkaq, Drejtori i Ekzekutimit të Sanksioneve, Aleksandar Pandov dhe drejtori i burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski, thanë së nuk kanë asnjë informacion për këtë rast, pasi përgjegjëse për arrestet shtëpiake është MPB.
MIA
“Nuk kam informacione të këtilla, unë erdha direkt këtu, nuk kam…Në cilin burg është ai?…Në arrest shtëpiak…Ne nuk i trajtojmë arrestet shtëpiake, arrestet shtëpiake i trajtojnë institutcione të tjera. A keni informacione të tjera?..Duhet të pyesni në MPB”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar fletarrest qendror, për Blerim Ramadanit, Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, e që është arratisur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve në vend. Ai u arrestua më 17 korrik 2024, pas çka ju caktua masa e paraburgimit, por më 1 Gusht ai u lirua në burg shtëpiak.
Emine Ismaili /SHENJA/