POLITIKATË FUNDIT

Avokati paralajmëron padi për Kurtin dhe Bislimin për deklaratat e tyre ndaj Faton Hajrizit

Avokati Gent Gjini ka paralajmëruar se me autorizim të Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit i cili dyshohet se u vra në Serbi, do t’i padisë disa zyrtarë publikë, të cilët sipas tij e kanë fyer Faton Hajrizin duke e quajtur kriminel.
Avokati Gjini në “Five” tha se do të paditen edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e zëvendësi i tij Besnik Bislimi.

Sipas tij, deklaratat e tyre janë problematike dhe se e fyejnë gjithë familjen Hajrizi.

“Po, besoj që do jenë pjesë e padisë [Kurti dhe Bislimi]. Janë deklarata publike. Padi civile do parashtrojmë dhe do dalim me prova. Nëse pretendohet një gjë e tillë e nuk argumentohet. Duhet të tërhiqen fjalët, fjala kriminel për t’u shprehur kriminel dikush janë procedurat që avokatët i njohin”, tha ai.

Ai tha se është autorizuar nga Artan Hajrizi, për shkak se është ndier i ofenduar nga cilësimet ndaj vëllait të tij Faton Hajrizi.

“Vëllai i Fatonit është ndier i ofenduar në lidhje me linçimit që i janë bërë vëllait të tij.

Shumë zyrtarë shtetërorë pa pasur argumente, apo persona të tjerë, Fatonin e përkufizojnë me epitete të ndryshme, e baltosin atë dhe familjen e tij. Pritet të ngrisim padi ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Për t’i thënë dikuj kriminel duhet pasur fakte. Pushtetet janë të ndara, politika nuk duhet t’i fusë duart në drejtësi”, tha ai.

“Padi civile, ndaj zyrtarëve që Faton Hajrizin e kanë quajtur kriminel. Po gjithë jemi të barabartë para ligjit, pavarësisht petkut dhe iminutetit që kanë zyrtarët publikë. Po padi do të parashtrojmë në drejtim se si janë parashtruar nga zyrtarët publikë”, ka vijuar ai.

Besnik Bislimi ditë më parë e kishte quajtur Faton Hajrizin kriminel, derisa kryeministri Kurti kishte kërkuar nga qytetarët që Hajrizi të mos heroizohet, sepse sipas tij nuk është i tillë.
Kurti theksoi se epitetin hero e meriton Afrim Bunjaku e jo Faton Hajrizi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *