A po tërhiqet BDI nga “modeli belg dhe irlandez” pas aktiviteteve të shtuara të Prokurorisë dhe policisë?
Në kumtesën zyrtare të lëshuar nga kabineti i kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas takimit me ambasadoren norvegjeze në Maqedoninë e veriut, Kristin Melsom, është përmendur eksperti amerikan, Paul ëilliams, por askund nuk janë përmendur “rajonet” apo “kantonet” që thuhej se BDI po i shqyrton për rimodelim të RMV-së sipas modelit të Irlandës së Veriut, apo Belgjikës. Në vend të tyre, është përmendur vetëm angazhimi i profesorit Williams për “legjitimitetin ndëretnik të institucioneve”.
“Bashkëbiseduesit këmbyen opinione mbi zhvillimet politike në vend e rajon, zgjedhjet e 8 majit si dhe zhvillimet pas zgjedhore në Maqedoninë e veriut, integrimin europian, legjitimitetin etnik zgjedhor, etj.
Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadoren Melsom për qëndrimin e palëkundur të Bashkimit Demokratik për Integrim mbi ndryshimet kushtetuese dhe integrimin Europian nëpërmjet të respektimit të Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, atë të Prespës dhe të Ohrit.
Lideri Ahmeti theksoi rëndësinë e legjitimitetit ndëretnik të institucioneve të vendit si rezultat i procesit zgjedhor dhe në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Rrethanat në Maqedoninë e veriut janë shumë specifike dhe rregullohen me marrëveshje paqësore, prandaj dhe çdo mosrespektim, sjell pasoja mbi stabilitetin dhe legjitimitetin e institucioneve.
Z. Ahmeti njoftoi Ambasadoren norvegjeze për angazhimin e ekspertit të së drejtës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare z. Paul ëilliams, i cili njihet edhe si autor i Marrëveshjes së Ohrit, për të draftuar një platformë mbi legjitimitetin ndëretnik të institucioneve qëndrore e lokale bazuar mbi rezultatet zgjedhore dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Ndryshe, humbet arsyeja e pjesëmarrjes në procese zgjedhore të komuniteteve në vendin tonë nëse përfaqësuesit e tyre përcaktohen me diktat nga komuniteti më i madh, si në kohërat e njëmendësisë”, theksohet në kumtesën e plotë, e të shkruar me mjaft kujdes dhe finesa nga pres-qendra e BDI-së.
Mospërmendja e modelit belg dhe irlandez në këtë kumtesë, ka filluar të ndërlidhet me aktivitetet e fundit të Prokurisë për luftë kundër korruosionit dhe si një shenjë se BDI po tërhiqet nga ideja për “rajone” e “kantone” ende pa e nxjerrë atë zyrtarisht në shesh, shkruan Zhurnal.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme edhe ministri i Punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se MPB do të ndjekë me tempo të shtuar kriminelë dhe ish zyrtarë të cilët kanë dëmtuar buxhetin dhe interesat shtetërore, shkruan Alsat.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se nuk do të ketë më emra të paprekshëm.
Këtë porosi ia adresoi opozitës shqiptare nga e cila Toshkovski ditë më parë u akuzua në Kuvend se përmes kallëzimeve penale të pabaza po tenton të mbjell frikë.
“Dua të ju paralajmëroj se Ministria e Brendshme në bazë të fakteve dhe dëshmive do t’i vazhdon të gjitha procedurat që i posedon, e përsëris në bazë të dëshmive dhe fakteve për secilin që ka qenë i paprekshëm dhe emri të cilëve nuk ka guxuar as të përmendet në organet hetuese e aq më pak të hetohet”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Në kuadër të debatit për zgjedhjen e zëvendësministrave në Kuvend, shumica lakoi emrat e familjarëve të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti si të dyshuar për vepra penale.
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti tha se veprimet e tilla nuk e frikësojnë Frontin, shkruan Zhurnal. Ai kërkoi që kryeministri dhe deputetët të mos mrin rolin e prokurorëve dhe gjykatësve.
“Nuk na shqetësojnë aspak tendencat për të cilat ju mendoni se duke përmendur familjar ndaj të cilëve është ngritur procedurë. Atë as nuk ua qajmë për trimëri dhe as nuk e marrim për dobësi dhe frikë. Gjithkush para ligjit do të përgjigjet njësoj siç thotë ligji”, u shpreh Blerim Bexheti, Deputet i Frontit Evropian.
Akuzat mes pushteti dhe opozitës për emrat e familjarëve të liderëve erdhën pak ditë pasi policia ngriti kallëzim penal ndaj Drin Ahmetit, nipi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe vëllaut të tij. Drin Ahmeti, sipas policisë, dyshohet se ka keqpërdorur me minierën në Kërçovë dhe nuk ka zbatuar marrëveshjen e lidhur me Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht nuk ka paguar kompensimin për shfrytëzimin me koncesion të minierës./Zhurnal