Arrestimi i Mulakut, deputeti Avdyli: Hap drejt kalimit nga mjekësia mesjetare në mjekësi moderne
Gjatë ditës Policia e ka arrestuar Nazmi Mulakun nga Vushtrria, i cili në rrjetet e tij sociale pretendonte se është një mjek popullor dhe se shëron disa sëmundje.
Për këtë ka reaguar deputeti i Listës GUXO, Haxhi Avdyli, përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur matrapaz dhe mashtrues të arrestuarin.
“Falënderoj organet e rendit dhe drejtësisë për përgjigjen e shpejtë ndaj thirrjes sonë publike për vendosjen e shtetit ligjor në sferën e shëndetit publik. Arrestimi i sotshëm i matrapazit apo të vetëquajturit ‘mjek’ popullor është vetëm veprimi i parë që duhet vazhduar edhe me tutje gjithandej Kosovës”, ka shkruar Avdyli, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, me këto arrestime po bëhen hapa drejt kalimit nga mjekësia mashtruese mesjetare te mjekësia moderne.
“Me këto arrestime e ndalesa ne po bëjmë hapin e madh të kalimit nga mjekësia mashtruese e mesjetës, në mjekësi moderne të shekullit 21. Shëndetësia publike është çështje shumë serioze për ta lënë në duar të mashtruesve injorantë që jo vetëm që po dëmtojnë xhepin, por edhe shëndetin e qytetarëve tanë”, ka shtuar Avdyli.