Balancuesi do të shëndërrohet në Ligj, Mexhiti: Nuk është heqje por avancim
Balancuesi që deri më tani ka rregulluar barazinë etnike gjatë punësimeve do të shndërrohet në Ligj për përfaqësim të barabartë dhe kjo, sipas zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, është avancim që do të garantojë barabarësinë dhe meritokracinë gjatë punësimeve. Kush nuk e respekton do të përballet me ligjin.
“Nëse e krahasojmë mekanizmin me ligjin, nuk është heqje por avancim. Edhe në të kaluarën është dashur të kalojmë mekanizmin në ligj sepse ligji ka peshën juridike më ndryshe. Ligji obligon edhe atë që do edhe atë që nuk don të zbaton sepse nëse nuk e zbaton ligjin, nëse e then ligjin do të përballet për shkelje ligjore. Qoftë drejtor shqiptar apo maqedon. Qoftë ministër shqiptarë apo maqedonas”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ky avancim vjen pas analizave që janë bërë nga procesi i skriningut i Bashkimit Europian. Për kritikat dhe akuzat e opozitës shqiptare, Mickoski thotë se ata duhet të tregojnë nëse janë pro apo kundër BE-së.
“Balancuesi dhe propozimi i shfuqizimit të saj është rezultat i një skrining procesi të Bashkimit Europian. Kjo është një nga konkluzionet, dhe këtë duhet të gjithë ta dinë. A duam tani të shkojmë apo nuk duam? Nëse duam të shkojmë, atëherë le të kërkojmë zgjidhje. Nëse nuk duam, atëherë duhet të tregojmë. Le të thonë ne duam të blejmë qendra tregtare në Qendër të Shkupit e kështu me radhë, lokale në qendër të Shkupit, e nga ana tjetër do të jemi patriotë. Unë këtë nuk do ta bëjë dhe nuk kam qëllim”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
E sa i përket punësimeve, ministri i ri i shëndetësisë Arben Taravari, dje paralajmëroi se ata që nuk shkojnë në punë, do të largohen. Gjatë krijimit të ministrive të reja, Taravari paralajmëroi sistematizim të të punësuarve atje ku ka nevojë.
“Të gjithë njerëzit që shkojnë në punë askush nuk largohet, ju garantoj. Ata që nuk shkojnë në punë ato po. Sistematizim të të punësuarve do të ketë në institucionet ku ka nevojë. Kështu që të jeni të sigurtë se njerëzit të cilët janë të punësuar, punojnë, asnjëri prej atyre nuk do të largohet”, u shpreh Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë.
Balancuesi ka për detyrë të garantojë barazi etnike gjatë punësimeve në sektorin publik, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë. Çdo institucion kur shpallë konkurs për punësim, në fund të konkursit theksohet se cilës bashkësi etnike duhet t’i takojë konkuruesi. Megjithatë, kjo në shumë raste është keqpërdorur nga qytetarët. Shumë maqedonas ose të tjerë deklaroheshin si shqiptarë gjatë konkurrimit dhe anasjelltas.