POLITIKATË FUNDIT

Ageler: S’ka detyrim ligjor që BDI-ja të jetë në Qeveri

Ambasadorja amerikane në Shkup Angela Ageler përshëndet paralajmërimin e mandatarit Hristijan Mickoski për përdorimin e emrit kushtetues, gjatë betimit si kryeministër i ri dhe gjatë vizitave jashtë shtetit. Ageler tha se në emër të Shteteve të Bashkuara shpreson se në fundjavë do të ndodh pikërisht ajo për të cilën u zotua Mickoski.

“Ishte dëshpëruese për lideershipin në Uashington kur presidentja vendosi të mos e përdor emrin kushtetues të vendit gjatë betimit dhe sinqerisht ajo që kryeministri dhe ministrat e ardhshëm do ta bëjnë është për t’u përshëndetur. Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar me qëllim të futjes së emrit kushtetues dhe jam e mahnitur me atë që shoh, dhe jam shumë e kënaqur dhe e përshëndeta paraqitjen e tij publike, në të cilën tha se do ta respektojë emrin kushtetues të vendit gjatë betimit. Të shohim se si do të përdoret. Por do t’ju them një gjë, në emër të SHBA-së, shpresoj shumë se kjo do të ndodh në fundjavë dhe emri kushtetues të përdoret në mënyrë përkatëse kur ai dhe ministri i jashtëm dhe të tjerët të jenë në Bruksel, ose gjatë disa takimeve të ardhshme dhe veçanërisht gjatë samitit të NATO-s në Uashington”, deklaroi Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së.

E pyetur për qëndrim lidhur me vendimin e VMRO-së për të koalicionuar me VLEN-in dhe jo me BDI-në, Ageler në një intervistë për 360 gradë tha se nuk ka detyrim ligjor që partia e Ahmetit të jetë pjesë e Qeverisë.

“VMRO-DPMNE e zgjodhi si partner Vlenin, i cili gjithashtu është koalicion njëjtë sikur edhe Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja. Kam pasur bisedime për këtë me një sërë zyrtarësh të BDI-së dhe të tjerë, dhe nuk ka detyrim ligjor për atë se me kë bëni koalicion… Jam e kënaqur që Qeveria është e përbërë nga grupe të ndryshme dhe nuk ka detyrim ligjor për BDI-në të bëhet pjesë e Qeverisë. E di që ka pyetje ligji përballë legjitimitetit, por është fakt se VMRO-DPMNE-ja zgjodhi partnerë nga bashkësi të ndryshme në vend dhe kjo është e drejtë e tyre”, tha Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së.

Ambasadorja amerikane theksoi se shumëkush u befasua nga rezultatet zgjedhjeve. Sipas Agelerit në çdo proces demokratik, ky është tregues i qartë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan ndryshime, duan të ndryshojë mënyra e ballafaqimit me korrupsionin, ekonominë dhe duan ta ndjejnë shpresën. /Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *