BE rrëzon propagandën: Shqipëria, e fundit për pastërtinë e plazheve
“Shqipëria, Maldivet e Europës”, “Thesari i fshehur i Mesdheut”, “Perla e Adriatikut”, “Plazhet përrallore”, “Bregdeti më i bukur i Jonit”… Të tillë tituj i keni hasur me siguri në mediat apo portalet pranë qeverisë prej të paktën një viti. Të shpërndara me kujdes propaganda qeveritare ato kanë pasur si synim krijimin e një realiteti tjetër tek i cili shqiptarët duhet të besojnë.
Por reportazhet e paguara me foto të retushuara, shkrimet e porositura, editorialet e kërkuara janë rrëzuar nga një raport i Bashkimit Europian i publikuar këtë të mërkurë mbi cilësinë e ujërave të larjes në plazhe, liqene e lumenj në 27 vendet e Unionit duke përfshirë, Zvicrën dhe Shqipërinë. Ky raport i hartuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit e rendit Shqipërinë të fundit të listës sa i takon pastërtisë së ujërave të larjes qofshin këto në det, liqen apo lumenj.
Për të qenë të qartë që në fillim. Është e vërtetë se Shqipëria ka njohur një rritje të numrit të turistëve dhe vëmendjes së vizitorëve të huaj në dy vitet e fundit. Kjo lidhet se pari me investimet private në sektorin e hoteleri-turizmit, çmimet e lira në krahasim me fqinjët si dhe me reklamimin e mirë nëpërmjet rrjeteve sociale, sidomos Instagram dhe TikTok.
Lexo më shumë Panairi “Prishtina 2024”, mundësi për tërheqjen e investitorëve të rinj
Ajo që duhet të kishte bërë qeveria shqiptare ishte të krijonte një mjedis të sigurt dhe të pastër. Dhe raporti i fundit e ngel atë në klasë.
Raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit i siguruar nga lapsi.al ka analizuar gjatë vitit 2023 ujërat e larjes në dy parametra specifikë të rëndësishëm shëndetësorë: Përmbajtja e bakterit Escherichia Coli dhe Enterokoket e zorrëve.
Për këtë u analizuan mostrat e marra nga ujërat në 22 mijë lokacione ku 85% e tyre u vlerësuan të shkëlqyera. 96% e ujërave plotësonin standardet minimale të cilësisë. Cilësia e ujërave të larjes bregdetare është përgjithësisht më e mirë se ajo e lumenjve dhe liqeneve. Në vitin 2023, rreth 89% e ujërave të larjes bregdetare të BE-së u klasifikuan si të shkëlqyera.