POLITIKATË FUNDIT

Diplomati austriak: Thaçi m’u prezantua si numri 3 i UÇK-së, s’dinim kush ishin 1-shi e 2-shi

Ish-sekretari i Ambasadës austriake në Serbi, Jan Kickert, dëshmoi në Hagë, në rastin e udhëheqësve të UÇK-së. Ai tha se, kur e vizitoi Kosovën për ta gjetur një përfaqësues politik të UÇK-së për në Rambuje, e takoi Hashim Thaçin, i cili iu prezantua si numri tre i UÇK-së. Kjo, sipas tij, sugjeroi se Ushtria Çlirimtare ka pasur njëfarë hierarkie
Jan Kickert, ish-sekretar i Ambasadës së Austrisë në Serbi, deklaroi të martën para Dhomave të Specializuara në Hagë, se gjatë luftës, Hashim Thaçi i ishte prezantuar si numri tre i UÇK-së.

Në dëshminë e dhënë në rastin më të madh të Speciales, në të cilin ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit, Kickert tha se Thaçi këtë ia pati thënë gjatë kohës kur ai qëndroi në Kosovë për ta kërkuar dikë që mund ta përfaqësonte UÇK-në politikisht, për marrëveshjen e Rambujesë.

“… Ju e mësuat në Kosovë që ai njihej si ‘gjarpri’. Por gjatë kohës sa ishit në Kosovë nuk e keni mësuar paralelisht që atij i drejtoheshin si numri tre”, pyeti avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

“Jo, nuk më kujtohet diçka e tillë”, tha dëshmitari Kickert.

“A e keni kuptuar ju përse përdorej sistemi numerik?”, pyeti Mishetiq.

“Sipas nesh, asokohe ishte ilustrim hierarkik me sistemin numerik. Pra, takova numrin shtatë fillimisht, pastaj numrin tre dhe kështu unë arrita të kuptoja që isha në shkallët më të larta të hierarkisë”, tha Kickert.

Kickert, aktualisht ambasador në Romë, theksoi se Thaçi nuk ka mundur ta merrte i vetëm vendimin për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, pasi e pati të domosdoshme të dakordohej me komandantë nga zonat operative.

“Ajo që e keni shkruar në gjermanisht është që z. Thaçi ishte shefi i delegacionit shqiptar dhe që vinte nga radhët e UÇK-së. Pastaj pyetja në versionin anglisht thotë, nuk ishte në gjendje t’i mbante përgjegjësitë që i kishin rënë mbi supe, e që i ishin vënë nga bashkësia ndërkombëtare dhe komandantët e UÇK-së në terren”, tha Mishetiq.

“Kjo ishte ajo që e krijova si përshtypje në Rambuje, që e vërejta. Ai ishte vazhdimisht në kontakt telefonik dhe ajo që vërejtëm ne, vlerësimi ynë ishte se qe në presion të jashtëzakonshëm që të mos e nënshkruante marrëveshjen në Rambuje …Presioni vinte nga UÇK-ja, por edhe nga Adem Demaçi që ishte përfaqësues politik apo zëdhënës, përfaqësues politik nëse mund të themi i UÇK-së”, tha Kickert.

Në këtë gjykim, Zyra e Prokurorit të Specializuar synon të vërtetojë se UÇK-ja pati hierarki dhe se shtabi i përgjithshëm ishte përgjegjës për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

E mbrojtja synon ta vërtetojë që UÇK-ja nuk pati hierarki të njëmendtë, meqë komandantë të zonave dhe ata lokalë patën rol vendimtar në luftë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *