POLITIKATË FUNDIT

Kurti: SHBA dhe BE po sillen “shumë butë” ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen shumë të buta ndaj Serbisë, duke shtuar se asaj duhet t’i caktojnë një ultimatum për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti ka theksuar se Beogradi duhet të rreshtohet kah Perëndimi për t’i ofruar Kosovës siguri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Serbia duhet të tregojë përkushtim ndaj integrimit në BE duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ndaluar përpjekjet për t’u ulur në “tre ose katër stola”.

Kryeministri Kurti ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen.

Kurti gjithashtu ka potencuar se ka dallime strategjike me aleatët euro-amerikanë “kur bëhet fjalë për strategjitë, operimet dhe taktikat në terren në njërën anë, dhe kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë”, por sipas tij, jo në vlera dhe parime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *