POLITIKATË FUNDIT

ALSAT siguron detaje nga masat hetimore kundër Naqe Georgiev dhe Ixhet Memetit

Gazetar: Adrian Kerimi

Televizioni Alsat ka siguruar detaje nga masat hetuese ndaj gjykatësit Suprem, Naqe Georgiev dhe anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publik, Ixhet Memeti si të dyshuar për veprën penale “marrje e shpërblimit për ndikim në dëm të ligjit”.

Prokuroria e krimit të organizuar ka qenë në dijeni të zhvatjes që të dyshuarit i kanë bërë djalit të Boro Stojçevit, ish kryetar i Novo Sellës i njohur me nofkën “Boro Marlboro” i arrestuar në mars të këtij viti për trafikim me lëndë narkotike.

Georgiev në cilësinë e gjykatësit suprem dhe Memeti në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publik i kanë kërkuar djalit të Stojçevit, Pero Stojçev para si kompensim për ndikimin e tyre që Stojçev të shpëtojë me dënim më të lehtë.

“Pero Stojçev e ka kontaktuar të dyshuarin Naqe Georgiev me kërkesën që t’i ndihmojë babait të tij (nën arrest) që t’i shqiptohet masa minimale e dënimit. Naqe Georgiev i ka treguar Pero Stojçevit se ka folur me të dyshuarin Ixhet Memeti, ndërsa në disa raste në prezencë të Pero Stojçevit, Georgiev i është paraqitur me video thirrje në Ëhatsapp Memetit, i cili në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë i ka dhënë garanci se bashkërisht me Georgievin do të ndërmarrin veprime me të cilat prokuroria do të pranojë të bëjë marrëveshje me Boro Stojçevin ndaj të cilit udhëhiqet procedurë penale. Për këtë veprim i janë kërkuar 5 000 euro të cilat Pero Stojçev ia ka dhënë të dyshuarit Georgiev në shtëpinë e tij në Strumicë”, bëhen të ditura detajet nga masat hetimore kundër Naqe Georgiev dhe Ixhet Memetit.

Shuma e parë për të cilën Georgiev ka ofruar shërbimin ka qenë 30 mijë euro, por më pas pazari është ulur.

“Në komunikimin e mëtejmë, Naqe Georgiev i ka kërkuar 30.000 euro që bashkërisht me Ixhet Memetin të ndikojnë te prokurori i angazhuar në këtë rast dhe gjykatësi i procedurës paraprake. Shuma e parave është kërkuar për të bërë marrëveshje me Prokurorinë, në të kundërtën i është thënë se prokurori do të lëshonte aktakuzë dhe gjykata do të shqiptonte dënim shumë më të madh. Kur i dëmtuari Pero Stojçev është revoltuar për shumën e kërkuar, Naqe Georgiev e ka ulur shumën në 20.000 euro për të cilat u morën vesh që t’ia dorëzojë më 20 maj 2024”, thuhet tutje në masën hetimore.

Paratë të cilët i ka kërkuar Georgiev për shërbimin që ka bërë ai dhe Memeti, paraprakisht janë përpunuar nga ekspertë të kriminalistikës. Të njëjtat i janë dorëzuar në dorë Georgievit i cili edhe është arrestuar në vendin e ngjarjes.

“Në po këtë datë Pero Stojçev i është paraqitur Georgievit dhe i ka thënë se marrëveshja është nënshkruar dhe është vërtetuar nga gjykata dhe tani është radha që ai të kryejë obligimin e tij (shpërblimin). Kanë caktuar takim te Hotel VIP në afërsi të Q.T East Gate në Shkup. Në orën 15 në vendin e caktuar është paraqitur Naqe Georgiev me veturën e tij të tipit A6 me targa të Shkupit. Pero Stojçev i ka dhënë në zarf shumën e parave prej 10.000 euro të cilat paraprakisht ishin përpunuar nga ekspert të kriminalistikës. Georgiev i ka marrë paratë dhe i ka futur në xhepin e majtë të palltos së tij. Në atë moment është arrestuar”, bëhen të ditura këto detaje nga masat hetimore.

Vepra për të cilën dyshohen Georgiev dhe Memeti parashikon dënim me burg nga 1 deri në 10 vjet. / Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *