POLITIKA

Taravari: Deri të premten e ardhshme do kemi marrëveshje për Qeverinë e re

Kryetari i Gjykatës Administrative u bën presion kolegëve të vet mbi vendimet që duhet të sjellë kjo gjykatë për rivotim në Njësinë e 5 dhe 6 zgjedhore. Kështu tha sot kryetari i ASH-së, Arben Taravari i cili paralajmëroi kryetarin e administratives se pas formimit të qeverisë së re do të pasojë përgjegjësi.

KSHZ ka pranuar 27 ankesa të dorëzuara nga koalicioni VLEN, VMRO-DPMNE, LSDM dhe e “Majta”, por një pjesë e tyre janë ankimuar pranë Gjykatës Administrative nga koalicioni Fronti Europian. Gjykata ka afat deri sonte për të vendosur dhe në bazë të vendimit të saj do të përcaktohet nëse do të ketë rivotim ose jo.

Nga ana tjetër, Taravari i pyetur për negociatat për formimin e qeverisë së re, tha se VLEN dhe VMRO-DPMNE pritet nga fundi i javës së ardhshme të nënshkruajnë marrëveshjen për qeverisjen.

“Shpresoj se deri në fund të javës së ardhshme do të kemi marrëveshje për programin qeveritar dhe ndarjen e resorëve, gjegjësisht kush dhe ku do të jetë ministër. Ne si kryetar të partive kemi patur dy takime, më tej në mënyrë intensive punojnë grupet e punës, shpresoj deri të hënën do të dalim me program të përbashkët ndërsa deri të premten do të kemi praktikisht marrëveshje për qeverinë e re”, ka deklaruar Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

I pyetur nëse ai vetë do të marrë ndonjë pozitë në qeverinë e ardhshme, Taravari tha se dëshiron ta mbyll mandatin si kryetar komune në Gostivar, por nuk e anashkaoi mundësinë për t’u bërë pjesë e ekzekutivit të ri.
Nëse Taravari merr pozitë në Qeveri, Gostivari duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për kryetar komune.

Ndryshe, deri më tani ka pasur dy takime për fromimin e qeverisë së ardhshme mes VLEN dhe VMRO-DPMNE. Fillimisht u takuan krerët e koalicionit me liderin e VMRO-së, ndërsa ditën e djeshme u realizua takim mes grupeve të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *