POLITIKA

Sali: Do të fitojmë për inat të Vuçiqit, sepse ashtu do Albin Kurti

Kandidati për deputet në zonën 1 i koalicionit të partive opozitare shqiptare Bekim Sali, ka siguruar simpatizuesit se ata do të jenë fituesit absolut në kampin shqiptar. Gjatë fjalimit në tubimin përmbyllës të fushatës për promovimin e kandidatit për president Arben Taravari, Sali duke ironizuar fjalimet në tubimin e BDI-së tha se ata janë nën mbrojtje të frymës shqiptare të shqiptarisë e jo të siç ka thënë, Car Dushanit të BDI-së.
“Dhe, ne do të fitojmë për inat të Vuçiqit, sepse ashtu do Albin Kurti. Do të fitojmë për inat të Artan Grubit, sepse shqiptarët nuk i duan kumarxhinjtë. Do të fitojmë për inat të Ali Ahmetit, sepse shqiptarët nuk i duan dallaveraxhinjtë. Ne do të fitojmë për inat të Rusisë e Serbisë, sepse shqiptari ynë nuk e duron më mashtrimin e BDI-së. Ani, si thoshte mbrëmë, gur më gur bëhet kalaja? Në fakt, e sakta është “Gur më gur e stinë më stinë, e fitova Soravinë”, deklaroi Sali.
“Të dashur të pranishëm në këtë tubim, ora e fitores po cingëron. Më 24 prill të gjithë ne, të rinj e të reja, nëna e baballarë, e kemi vetëm një detyrë – të flasim me të gjithë të njohurit tanë dhe t’u themi se erdhi dita që Arben Taravari të shkojë në raundin e dytë, ndërsa më 8 maj koalicioni VLEN ta marrë vizën për qeverinë e ardhshme. Ashtu siç e dini, në këto zgjedhje unë jam i dyti në zonën e parë. Prandaj e kërkoj mbështetjen tuaj, i bindur se ajo që e kemi bërë ndërkohë për të mirën e qytetarëve duhet të vlerësohet e të çmohet. Edhe pse ju meritoni shumëfish më tepër, unë mendoj se asnjëherë nuk është mjaft e nuk është vonë për të bërë punë të mira. Fundja, të gjithë ne do të mbahemi mend për atë që e kemi bërë për të tjerët e jo për vete” , ka shtuar Bekim Sali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *