POLITIKATË FUNDIT

Bakoyannis në KiE: Kosova bëri progres real për t’u anëtarësuar, Asociacioni, fatkeqësisht, është përtej mbulimit tonë

Deputetja greke, Dora Bakoyannis, e ka arsyetuar në Asamblenë Parlamentare raportin e përpiluar nga ajo që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, raporton Gazeta Express.

Fillimisht ajo tha se Asambleja Parlamentare e KiE do ta trajtojë “një çështje shumë të komplikuar, të pasur me nuanca, të cilën mund të mos e kemi pasur asnjëherë para kësaj Asambleje”.

Ajo fillimisht tha se “që prej fillimit kam qenë shumë këmbëngulëse që raporti nuk do të marrë qëndrim për sa i përket shtetësisë, njohjes apo mosnjohjes”

Bakoyannis tha se “përkundër mangësive të konsiderueshme në implementim, rregullat juridike të Kosovës janë përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Ajo tha se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “përtej” mbulimit të saj, ndërsa përmendi lëvizjet e Kosovës për implementimin e aktgjykimit për Manastirin e Deçanit dhe për çështjen e shpronësimit të pronave të serbëve.

“Kosova mund të shihet si demokraci funksionale, parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut të përligjura në Kushtetutë”, tha Bakoyannis. “Zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Europiane drejt Kosovës do të kontribuonte në masë të konsiderueshme për respektimin e të drejtave të njeriut”.

“Duke marrë parasysh edhe situatën e përkeqësuar të të drejtave të njeriut, sidomos përsa i përket të drejtave të pakicave, kam dashur të sigurohem që autoritetet në Prishtinë të jenë të gatshme të vazhdojnë me reformat themelore për përmirësimin e mbrojtjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kam identifikuar tri çështje të mbetura kryesore ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Pra, implementimi i akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha raportuesja.

Bakoyannis tha se përkundër se ishte parlajmëruar se “nuk mund të pritet progres në asnjë nga këto çështje”, shtoi se “progresi real është vërejtur”.

“Këtu qëndroj para jush me krenari për t’ju informuar që Asambleja Parlamentare ka arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar si një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të sundimit të së drejtës, implementimit të vendimit nga gjykata më e lartë e Kosovës në pritje që nga viti 2016 që do t’ia rikthente pronën manastirit më të rëndësishëm serb në rajon dhe kjo përfaqëson fitore të madhe për sundimin e së drejtës, të drejtat pronësore të serbëve dhe të drejtat e pakicës”, tha ajo.

Bakoyannis tha se “çdo rast i shpronësimit të paligjshëm të tokës do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.

Më pas, u ndal të flasë për Asociacionin, si “një prej çështjeve më të rëndësishme të hapura për të drejtat e pakicave në Kosovë”.

“E shoh themelimin e Asociacionit si çështje e njëanshme, vendore e Kosovës që ndikon vetëm te qytetarët e Kosovës. Duke e pasur këtë parasysh kam bërë çdo përpjekje drejt materializimit të saj. Fatkeqësisht, kjo çështje nuk ka arritur të negociohet”, tha ajo.

Bakoyannis theksoi se marrëveshja e fundit e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se “çdo lloj negociate për themelimin e tij duhet të bëhet në kaudër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Si rezultat, Asociacioni, fatkeqësisht, është përtej mbulimit tonë, edhe nëse Komiteti i Ministrave inkurajohet fuqimisht që ta marrë parasysh këtë çështje”, tha ajo.

“Shpresoj që sot Asambleja Parlamentare do ta nënvizojë nevojën për t’i sjellë nën ombrellën demokratike të KiE 2 milionë europianë të tjerë, për t’i mbrojtur ata nga shkeljet dhe për të mos lejuar rrezikimin e jetës së tyre”, tha në fund raportuesja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *