Kryeziu Hyseni: Bujar Osmani mbrojtës i Open Ballkan, Taravari përkrah Kosovës
Kryetarja e Komisionit për politik të Jashtme në Kuvendin e Kosovës dhe njëherit edhe deputete e VV-së Arbereshë Kryeziu Hyseni përmes një shkrimi ka akuzuar ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani që edhe pëkundër sulmit terorrist nga Serbia në Banjskë ai nuk e tërhoqo Maqedoninë e Veriut nga inicativa Open Ballkan.
Sipas deputetes së VV-së, derisa Bujar Osmani mbështetës i Ballkanit të Hapur kërkon votën për president, kundërkandidati i tij nga koalicioni VLEN është përkrahës i Kosovës dhe kundër ndikimit rus dhe serb në Maqedoni.
Mëposhtë shkrimi i plotë:
Disa ditë pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit që na vrau heroin Afrim Banjaku, ish-Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani pati deklaruar se Serbia duhet të dëshmojë se nuk kishte përfshirje shtetërore, përndryshe Maqedonia e Veriut do të rishqyrtonte pjesëmarrjen në nismën Ballkani i Hapur.
Ndodhi e kundërta. U dëshmua përfshirja e Serbisë, por Bujar Osmani nuk e rishqyrtoi pjesëmarrjen në Ballkan të hapur.
Hetimi i autoriteteve të Republikës së Kosovës i ka dëshmuar lidhjet financiare dhe organizative midis grupit paramilitar dhe regjimit të Vuçiqit, me në krye Ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe ish-kryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Edhe pse Radoiçiq e ka pranuar autorësinë e sulmit që cenoi sovranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare, ndaj tij nuk është ngritur padi dhe Serbia nuk ka lëvizur asnjë milimetër drejt dhënies së llogarisë.
Hetimi i Policisë së Kosovës është përshëndetur nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë sa u përket dëshmive që i ndërlidhin sulmuesit me shteti serb. Është për keqardhje që Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk e dënoi sulmin e Banjskës por mbajti vazhdimisht pozicion neutral dhe relativizues. Ai madje as nuk ka shfaqur ndonjë interesim për rezultatet e hetimit të Policisë së Kosovës që dëshmojnë përfshirjen shtetërore serbe. Rrjedhimisht, Maqedonia e Veriut ka ngelur e vetme në Ballkanin e Hapur bashkë me Serbinë.
Më 24 prill, kur bëhen fiks gjashtë muaj prej sulmit të Banjskës, Bujar Osmani do të kërkojë votën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në garën presidenciale përballë Arben Taravarit nga Koalicioni VLEN. Bujar Osmani është përfaqësues dhe mbrojtës i Ballkanit të Hapur, ndërsa Arben Taravari është rreshtuar përkrah Kosovës e kundër shtrirjes së ndikimit ruso-serb në rajon.
Me këto zgjedhje, vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut duhet ta mbyllin faqen e Ballkanit të Hapur dhe të hapin faqen e ndryshimit duke hapur një rrugë të re kombëtare, që vlen.