Tentimi për vrasje ndaj kryetarit të Haraçinës, reagon Taravari: Të zbardhet sa më shpejt rasti
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka shprehur shqetësimin e tij për tentimin për vrasje të kryetarit të Haraçinës Ridvan Ibrahimi, ku nga sulmi mbetën të plagosur dy bashkëpunëtorët e tij.
Taravari në facebook ka shkruar se kërkon zbardhje të rastit ndërsa nga qytetarët dënim të sistemit që e ka quajtur të korruptuar dhe kriminal.
“Shpreh keqardhjen dhe shqetësimin tim maksimal për ngjarjen e ndodhur sot në Haraçinë.
Duke uruar që të lënduarit të kenë shërim të shpejtë e të plotë apeloj fort tek organet e Drejtësisë për të dënuar fajtorët!
Krimi politik është pasojë e këtij sistemi të Koruptuar e Kriminal që Tani Më Shumë Se Kurrë Duhet Të Ndryshojë!
Ndryshimi Është Domosdoshmëri!”, shkruan Taravari.